E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë ish-banorja e “Big Brother VIP 5”. Ajo ka folur më shumë për eksperiencën e saj në këtë format, por ka bërë edhe një rrëfim të sinqertë mbi familjen dhe jetën personale…
Si e përjetove eksperiencën tënde brenda në shtëpi?
Jam habitur me ish-banorë edhe të edicioneve të kaluara, që më kanë pyetur nëse më ka ngelur shenjë si eksperiencë. Ndoshta ishte edhe koha e shkurtër, eksperienca ime zgjati diku tek 12 ditë. Më është dukur një eksperiencë që e provova dhe e jetova. Më është dashur pak kohë me gjumin, ai ishte një problem më vete.
Çfarë mendon se nuk funksionoi për të vazhduar më gjatë?
Në pikën e lojës që unë hyra, hyra pak me avash, sepse të tillë e kam edhe personalitetin. Më duhet kohë që të përshtatem me ambientet e reja, më duhet kohë që të bëj dallimin midis personazheve, siç na ndodh edhe në jetë. Por momenti në “Big Brother” ishte që ti duhet të ishe “all in” menjëherë, gjë që unë nuk e bëra dhe mendoj që kjo më ka penalizuar në atë pikë të lojës. Pavarësisht disa individëve të caktuar që disa i kam evituar, disa kam qenë kurioze për të ditur më tepër, është tjetër gjë ta shohësh nga ekrani, është tjetër gjë të marrësh energjinë e tjetrit dhe ta jetosh.