Një shqiptar u ekzekutua në Medelin të Kolumbisë e sipas raportimeve të mediave kolumbiane, ai quhet Artur Tushi dhe kishte dokumente ekuadoriane. Atentati i dyshuar i porositur, ndodhi pasditen e djeshme në Medelín, në një rrugë pranë qendrës tregtare Santa Fe, në El Poblado.
Sekretari i Sigurisë së qytetit, Manuel Villa Mejía, informoi se viktimë mbeti një burrë me dokumente ekuadoriane e gjithashtu kombësi shqiptare.
Autori i vrasjes, i cili lëvizte me motoçikletë, u arrestua në komunën Bello, në veri të Valle de Aburrás. Si motoçikleta, ashtu edhe arma e zjarrit me të cilën dyshohet se kreu vrasjen, u sekuestruan. Motivet dhe detajet e rastit po verifikohen, në kuadër të hetimit që po zhvillohet nga autoritetet.
Një grua që shoqëronte shqiptarin, mbeti e plagosur. Sipas informacioneve të bëra publike, emri i viktimës është Artur Tushi, i lindur në Shqipëri 44 vjet më parë, por me letërnjoftim ekuadorian.
Hetimet e InSight Crime-it tregojnë se rrjetet shqiptare janë aktorë kyç në trafikun e drogës në Amerikën Latine, duke përdorur Ekuadorin si bazë kryesore për operacionet transatlantike.
Këto grupe kriminale ballkanike kanë dërguar emisarë në Amerikën e Jugut për të negociuar drejtpërdrejt me prodhuesit e kokainës (si p.sh. disidentët e FARC-ut ose Los Urabeñosit në Kolumbi) me qëllim që të sigurojnë çmimin më të ulët të mundshëm me shumicë.
Ky pozicionim strategjik u ka lejuar të shndërrohen në përfitues të mëdhenj të bumit të prodhimit të kokainës në Amerikën Latine, duke e blerë drogën me afro 2.000 deri në 4.000 dollarë për kilogram dhe duke e rishitur në Europë për 30.000 deri në 40.000 dollarë.
Edhe pse shpesh quhen “mafia shqiptare”, në fakt janë rrjete të decentralizuara, si p.sh. “Kompania Bello”. Qëllimi kryesor i tyre në Ekuador është të negociojnë marrëveshje, të nënkontraktojnë transportin e dërgesave te grupet ekuadoriane dhe të pastrojnë para përmes blerjes së kompanive fiktive të eksportit e importit, veçanërisht në portin e Guajakilit.
Një rast është i Dritan Gjikës (i njohur si “Tonny”), trafikant shqiptar që u vendos në Ekuador prej vitit 2009, duke u shtirur si biznesmen e ndërtuar një perandori të fuqishme të trafikut të drogës.
Gjika konsiderohet si një pionier, pasi u pozicionua në zinxhirin e furnizimit si një ofrues kyç i kokainës. Rrjeti i tij trafikonte tonelata kokainë kolumbiane drejt Europës përmes Ekuadorit dhe lidhej me sekuestrime prej më shumë se 9.5 tonësh.
Prania shqiptare në Guajakil gjithashtu karakterizohet nga konkurrenca e dhunshme mes rrjeteve ballkanike, gjë që është shfaqur përmes vrasjeve të anëtarëve të dyshuar të mafias në qytetin portual.