Miliarderi Elon Musk ka publikuar një foto në platformën e tij, X, ku në mënyrë të çuditshme krenohet për humbjen e peshës. Në foto, ai pozon pranë një bredhi të Krishtlindjes, i veshur me një kostum të Babagjyshit. “Ozempic Babagjyshi”-shkroi ai krahas fotos, duke aluduar se po përdor ilaçin që zakonisht përdoret për trajtimin e diabetit të tipit 2. Postimi i tij grumbulloi mbi 36 milionë shikime brenda më pak se 24 orësh.
Ozempic Santa pic.twitter.com/7YECSNpWoz
— Elon Musk (@elonmusk) December 26, 2024
Rikujtojmë, se sipas një studimi, injeksionet javore të semaglutidit si Ozempic reduktojnë ndjeshëm rrezikun e komplikimeve serioze të sëmundjes së veshkave, problemeve të mëdha kardiovaskulare dhe vdekjes te njerëzit që kanë diabet të tipit 2 dhe sëmundje kronike të veshkave. Ozempic duket se prek edhe veshkat, tregon studimi i ri. Diabeti është një faktor kryesor rreziku për sëmundjen e veshkave, e cila është një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në SHBA dhe në mbarë botën. Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, një në tre persona me diabet ka gjithashtu sëmundje kronike të veshkave.
Një tjetër studim i ri ka zbuluar se shumica e personave që ndaluan përdorimin e semaglutidit, përbërësi aktiv i medikamenteve të njohura për humbje peshe, si Ozempic, fituan përsëri rreth dy të tretat e peshës së humbur dhe shfaqën përkeqësim të treguesve shëndetësorë, duke përfshirë rritje të presionit të gjakut, kolesterolit dhe rrezikut të sëmundjeve të zemrës. Wegovy dhe Ozempic janë të njohura si agonistë të receptorëve GLP-1 dhe shkaktojnë humbje peshe duke imituar veprimet e GLP-1, një hormon në tru që rregullon apetit dhe ndjenjat e ngopjes.