Celebrities Dilema Sociale

Ema Andrea: “Më shumë dhembje i ka shkaktuar shqiptari-shqiptarit se sa serbi-shqiptarit”

Aktorja shumë e suksesshme, ishte ditën e djeshme e ftuar në emisionin “Dilema Sociale” me Eno Popin në studion e Top Albania Radio-s. Ndërkohë, Eno e pyeti si nisi disa vite më parë projekti “Memo” i cili në fokus ka memorien kolektive që lidhet më historitë e të kaluarës.

Ema u shpreh se:

Për mua kanë qenë thirrje personale. Mua më pëlqen të merrem me problemet sociale brenda profesionit tim. Nuk bëj dot ndryshe. Kjo thirrje ka ndodhur kur kam vizituar për herë të parë ish-kampin e internimit në Tepelenë dhe kam dëgjuar historitë e fëmijëve që kanë vdekur, gratë që janë zhvatur nga shtëpitë e tyre, që kanë vuajtur thjesht nga mbiemri i tyre, baballarë që nuk ishin dakord me politikat e kohës dhe që janë keqtrajtuar deri në mizori. Ndonjëherë mendoj se këto dhembje ia ka shkaktuar shqiptari-shqiptarit dhe jo serbi-shqiptarit. Dua të bëjë diçka për shpirtrat e këtyre fëmijëve. Duket patetike por le të jetë e tillë. Unë dua të flas nëpërmjet artit. 

E pyetur për projektin e saj të parë “Rrëfime të vërteta”, Ema tha:

Unë merresha me të rinj të moshave të ndryshme të cilët nuk e dinin historinë e vendit të tyre, e njohin pak ose aspak. Unë nxis kolegë që nëpërmjet artit të kontribuojnë në të vërtetën. Është përgjegjësi natyrale e çdokujt të kontribuojë për shoqërinë. Unë mendoj që njeriu duhet të lërë një gjurmë në jetë. Nëse nuk do të dish historinë merru me turizmin kulturor. Nuk mund të harrojmë vendet historike. Ky vit që askush nuk pati punë duhet të kishte dhënë kontribut në turizmin kulturor. Ndërtime muzesh, memoriale, etj. Nuk mund të rritet një brez i painformuar. Në botë promovohet turizmi, në vendin tonë jo.

Ndërkaq, Pedagogia e Aktrimit dhe Lëvizjes skenike, shtoi se:

Ne sot jemi shoqëria e dyshimit. Njerëzit nuk duan të flasin sepse nuk duan të lëndohem ose sepse mendojnë se dikush ka vuajtur më shumë se ata. Historia e tyre i përket të ardhmes. Me dhimbjen njerëzore dikush ka marrë dekorata. Krimet e së kaluarës nuk janë dënuar dhe sot ata që kanë kryer krime janë heronj të popullit dhe zëra të politikës shqiptare. Të paktën një gjë duhet të ishte bërë. Nuk është bërë aq sa duhet. Nëse ne kemi bërë, politika nuk ka bërë fare.