Erik Menendez, i dënuar për vrasjen e prindërve të tij në vitin 1989, është rikthyer në burg pasi u trajtua për gurë në veshka në një spital të Kalifornisë.
54-vjeçari iu nënshtrua një operacioni dhe qëndroi për disa ditë në spital, përpara se të transferohej sërish në Qendrën Korrektuese Richard J. Donovan në San Diego.
Lajmin e bëri të ditur vajza e tij e adoptuar, Talia, përmes një postimi në Instagram Stories më 2 gusht.
Babai im ka dalë nga spitali dhe është kthyer në burg, duke u përgatitur për seancën tonë të ardhshme dëgjimore për lirimin me kusht
-shkroi ajo.
Sipas ABC News, Menendez u dërgua fillimisht në spital për shkak të komplikimeve të rënda me të dy veshkat, ku iu gjetën gurë të shumtë dhe të mëdhenj.
Avokati i tij, Mark Geragos, deklaroi për TMZ se gjendja shëndetësore ishte e rëndë dhe se Menendez duhet të lirohej nga burgu për shkak të problemeve mjekësore.
Departamenti i Korrektimeve dhe Rehabilitimit i Kalifornisë konfirmoi transferimin e përkohshëm, duke theksuar se ligjet e privatësisë mjekësore kufizojnë dhënien e detajeve specifike për gjendjen e tij.
Seanca e ardhshme për lirimin me kusht për Erik dhe vëllain e tij Lyle, 57 vjeç, është planifikuar për fundin e gushtit. Të dy po vuajnë dënimin e përjetshëm për vrasjen e prindërve të tyre, një nga rastet më të famshme kriminale në historinë amerikane.