Bota Food & Drink

Fasulet Bud Spencer bëjnë namin, familja e aktorit arrin 10 milionë euro fitime!

Kush nuk i kujton skenat legjendare të filmave të Bud Spencer dhe Terence Hill, ku shfaqeshin gjithmonë edhe pjatat e bollshme me fasule? Ky detaj kinematografik është kthyer në një sukses të madh tregtar nga familja e aktorit të ndjerë. Në më pak se dy vite, familja Pedersoli ka arritur të kthejë një ide nostalgjike në një biznes me të ardhura që pritet të kapë shifrën e 10 milionë eurove në vitin 2025. Ata sollën në treg recetën e famshme të fasuleve që Bud Spencer hante në filmat e tij. Nëpër raftet e supermarketeve italiane, fytyra ikonike e Bud Spencer tashmë duket nëpër kavanozë mes qiqrave dhe bizeleve, me etiketën: “Fasule sipas recetës origjinale”.

Pas produktit qëndron kompania Bud Power, e krijuar në vitin 2022 nga familja Pedersoli. Në vitin e parë, kompania kishte vetëm 56 mijë euro të ardhura, ndërsa në 2023 u rritën në 624 mijë euro, pavarësisht një humbjeje prej mbi 100 mijë euro. Por gjithçka ndryshoi me lançimin e fasuleve në treg në maj të 2024-ës. Sot, produkti përfaqëson rreth 70% të xhiros së kompanisë.

Fasulet prodhohen në Rovereto (provinca e Trentos) nga kompania Dega Food, pjesë e grupit agro-ushqimor D’Amico. Receta përmban fasule borlotti nga Piemonte, domate të shtypura, qepë, pancetë të tymosur dhe erëza, të gjitha të përzgjedhura me kujdes dhe me origjinë italiane. Pas suksesit të fasuleve, kompania po përgatitet të lançojë edhe birrën e Bud Spencer, ndërsa pas verës do të vijë në treg edhe një produkt i ri me emrin “Pizzone di Bud Spencer”, që luan me simbolikën e “shuplakës” së famshme të aktorit në filmat e tij.