Tech Top Tech - News

Ferrari sapo prezantoi një makinë që nuk ekziston fare! Ja si është e mundur…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Ferrari sapo prezantoi një makinë që nuk ekziston fare

Fillimisht ju kërkoj ndjesë që e kam përmendur Ferrarin rreth 500 mijë herë këto episode të fundit… po ama ky lajm duhet thënë! Sepse Ferrari, me gjithë famën, paratë dhe motorët që ulërasin, sapo prezantoi një makinë që nuk ekziston fare.

Quhet Ferrari F76, dhe është… një NFT. Po, një makinë që s’e sheh, s’e prek, s’e ndez — por mund ta blesh. Është dizajnuar ekskluzivisht për anëtarët e “Hyperclub”-it të Ferrarit, një grup shumëëë elitar.

F76 është krijim i Flavio Manzonit, dizajneri pas disa prej modeleve më të bukura të Ferrarit, dhe synon të tregojë si do duket Ferrari i së ardhmes. Ka dy timona, dy pedale, dhe një formë që duket sikur ka ardhur direkt nga Alienët. Megjithatë, brenda atij dizajni futuristik fshihet ende një motor me djegie të brendshme — sepse, dihet, Ferrari edhe në NFT s’heq dorë nga zhurma e motorit.

Kjo “makinë e padukshme” feston 76 vjet nga fitorja e parë e Ferrarit në Le Mans, por edhe 76 arsye për të qeshur me idenë se në 2025 ende shiten NFT.

Në fund të ditës, Ferrari po na thotë qartë: edhe kur në të vërtetë s’ka një model të ri makine, di si të të marrë paratë.