Myslimanët kudo në botë sot festojnë fillimin e Fitër Bajramit, festës së rëndësishme që shënon fundin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit agjërohet. Fitër Bajrami treditor, një nga dy festat kryesore të Islamit është shënuar me faljen e namazit në të gjitha qytetet e fshatrat e Shqipërisë ku ka besimtarë myslimanë që kanë shkëmbyer mesazhe paqeje.
Ndërkaq, dita e Fiter Bajramit është një ditë feste dhe tavolinat e besimtarëve myslimanë mbushen plot. Ka disa ushqime tradicionale që shoqërojnë këtë festë ndër vite dhe në shumë familje ka mbetur si traditë që në ditën e Bajramit për mëngjes të kenë oriz dhe pite, ndërsa për festën e cila mund të bëhet në drekë ose darkë nuk ka se si të mungojë mishi i kecit ose i qengjit, byreku me shumë petë, kimë me vezë, supa të ndryshme dhe sallata.
Ëmbëlsira është pjesë e rëndësishme e kësaj dite dhe ajo nuk duhet të mungojë në tavolinën e asnjë besimtari mysliman. Ndër ëmbëlsirat më tradicionale që përfaqësojnë këtë festë janë bakllavaja, revania dhe kadaifi. Ndërkaq, në orët e para të mëngjesit, besimtarë të shumtë falën Namazin e Fitër Bajramit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Ceremonia vazhdoi me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, i cili për të pranishmit përcolli urimet e kësaj dite gëzimi për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë.