Aktorja e njohur franceze Juliette Binoche, e cila këtë vit kryeson jurinë e Festivalit të 78-të të Filmit në Kanë, ka bërë një homazh prekës për fotoreporteren palestineze Fatima (Fatma) Hassouna, e vrarë së bashku me familjen e saj gjatë një sulmi izraelit në Gaza më 16 prill.
Gjatë fjalimit të saj, Binoche kujtoi fjalët e 25-vjeçares që kishte shkruar pak kohë para vdekjes:
Vdekja kaloi përmes meje. Një plumb harkëtari më shpoi dhe u bëra një engjëll në sytë e një qyteti më të madh se ëndrrat e mia… U bëra një poete e shenjtë në sytë e një pylli që po shndërrohet në shkretëtirë.
Ajo theksoi se vetëm një ditë para se të humbiste jetën, Fatma kishte marrë lajmin se një dokumentar për të, me titull
“Put Your Soul on Your Hand and Walk”, ishte përzgjedhur për t’u shfaqur në Festivalin e Kanës. Regjisorja e filmit është iranianja Sepideh Farsi.
Arti zgjat. Është një provë e fuqishme e jetës dhe ëndrrave tona, dhe ne si publik jemi dëshmitarë të tij. Le të kontribuojë Festivali i Kanës në këtë drejtim
– tha Binoche mes duartrokitjeve të forta të publikut.
Festivali i Filmit në Kanë vazhdon deri më 24 maj dhe në garën kryesore këtë vit marrin pjesë 19 filma nga mbarë bota.