Aktualitet

“Flamingot” shqiptare kalojnë oqeanin! Protesta për Zvërnecin shkon deri në Amerikë! Diaspora mbush sheshet e Europës!

Vala e protestave të diasporës shqiptare kundër qeverisë ka kaluar oqeanin, duke u zhvendosur edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shqiptarë të shumtë janë mbledhur përpara godinës së Ambasadës Shqiptare në Uashington DC, duke iu bashkuar organizimeve të ngjashme që po ndodhin në shumë qytete dhe kryeqytete të Evropës.

Me thirrje të forta kundër ekzekutivit, shqiptarët e mbledhur në kryeqytetin amerikan kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama. Përveç kërkesës për largim, protestuesit kanë artikuluar përpara selisë diplomatike edhe thirrje për arrestimin e kreut të qeverisë, duke e bërë përgjegjës për situatën në vend.

Ky tubim në Uashington DC vjen si pjesë e një koordinimi të gjerë të diasporës në rang global, pasi protesta të ngjashme janë regjistruar më herët në qytete si Vjena, Berlini, Milano dhe Stokholmi, ndërkohë që brenda Shqipërisë revolta qytetare në rrugët e Tiranës vijon prej një jave.

Një protestë e fuqishme është organizuar edhe në Austri, në kryeqytetin Vjenë, si pjesë e organizimeve të ngjashme nga diaspora shqiptare në shumë qytete dhe kryeqytete të tjera evropiane.

Shqiptarë të shumtë u mblodhën në kryeqytetin austriak, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, madje edhe arrestimin e tij.

Protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në qytete si Londra, Berlini, Mynihu, Milano, Stokholmi, etj, ndërsa revolta vijon në Tiranë prej një jave.

Sot është planifikuar dhe thirrur protesta më e madhe ndonjëherë, që prej nisjes së tubimeve të dielën e kaluar.

Në një javë protestuesit kanë ndezur energjinë dhe revoltën për të ndryshuar qeverinë dhe larguar kryeministrin Edi Rama nga drejtimi i vendit.

Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës si ndëshkim për keqqeverisjen, arrogancën dhe shpërfilljen e interesave të qytetarëve.

Përgjatë ditëve të protestave, revolta është zhvilluar jo vetëm në bulevardin Dëshmorët e Kombit, përballë Kryeministrisë, por edhe në rrugët e kryeqytetit.

Në një mobilizim edhe më të gjerë, shqiptarët kanë dalë në protestë edhe në qytete të tjera shqiptare si Korça, Vlora, Durrësi, Fieri, Shkodra, etj.