Film & Tv

“Flow” filmi perfekt për të parë me fëmijët tuaj. Kritikë.

Në kategorinë e filmave të animuar në Oscar-ët e këtij viti, prodhimi letonez0-belgo-francez “Flow” arriti të triumfonte mbi filmat hit të studiove të mëdha të Hollywood-it: “Inside Out 2” (Pixar) apo “The Wild Robot” (DreamWorks).

Filmi pa dialog, që ndjek një nga kafshët më solitare në planet, një mace (të zezë), tregon se si asaj i duhet të krijojë një ‘familje’ me kafshë të tjera të pazakonta për habitatin e saj, për shkak të një fatkeqsie natyrore. Një udhëtim i mrekullueshëm, emocional, rezonues, duke i besuar vetëm imazhit, animacionit, një animacioni të ‘ndryshëm’ jo-konvencional për të cilin është punuar mbi pesë vite, përmes një software-i open source i quajtur Blender. Dukshëm një projekt pasioni.

E kur pasioni, në botën materialiste në të cilën jetojmë, shpesh herë nuk shpërblehet, kritika e ka shpërblyer “Flow”; por edhe publiku nuk ngelet pas. Duke qënë se është një film që nuk bërtet,  xhanëm as nuk flet – të paktën jo me fjalë, nëse e gjen dëshirën për ta prioritetizuar karshi atyre që ‘ulërasin’, do të jeni të kënaqur, një qerasje për sytë e veshët për ju dhe fëmijët tuaj, pavarësisht moshës së tyrë. Kjo e fundit është e rëndësishme, sepse fëmijë të moshave të ndryshme do ta shohin filmin me sy të ndryshëm, në varësi të botëkuptimit të tyre.

Regjisori Gints Zildalodis tregon kombinimin e një bote realiste dhe abstrakte, kombinimin e renderave 3d me vizatimet me dorë dhe një grup të çuditshëm kafshësh që një përmbytje apokaliptike i bën bashkë. Macja, kapibara, lemuri, zogu-sekretar dhe një qen (golden retriever), si edhe të tjera kafshë që takojmë në udhëtimin e tyre janë personazhe me të cilat lidhesh natyrshëm duke kuptuar sjelljet e tyre në atë që do të ishte historia me kafshë e “The Impossible” (2012).

Zildalodis nuk pezmatohet nga kufizimet e këtij lloj animacioni (që shpesh të duket si një videogame), një kombinim inovativ, i pazakontë; dhe as nga fakti që kafshët në film sillen si kafshë të pa ndihmuara nga vendosja e atributeve njerëzore që shpesh u bëhet atyre në filma të animuar – qoftë në shprehi të fytyrës apo fjalën e folur. Marrëdhënia e tyre ka një evoluim të ngadaltë, të qetë, të çiltër, domethënës. Vetminë, tensionin, humorin, zemërthyerjen apo dashurinë e kuptojmë vetëm përmes gjuhës së trupit.

Sepse ndonjëherë fjalët janë të tepërta. Ndonjëherë fjalët vetëm prishin punë.

Kamera në “Flow” rrjedh në plane të gjata dhe tërheqëse. Alegoritë e kësaj historie janë të forta dhe të qëllimshme për të bërë shikuesin e moshave të ndryshme të mendojë gjëra të ndryshme. Besimi, mbijetesa, komuniteti, forca e ringritjes, janë disa nga temat që zhvillohen përgjatë tij.

“Flow” është i rrallë për ata që e ftojnë në sallonin e shtëpisë së tyre. Ai vlerëson emocionin e pastër përtej spektaklit, sinqeritetin e përulur mbi ‘këngët apo aksionin disi të dhunshëm’, absolutisht diçka ndryshe nga të ngjashmit e botës së kartonave.

Si përfundim, për mua ishte qejf të shkëputesha nga vetja dhe të shihja botën përmes syve të një maceje në mes të kiametit, 3 vjeçarja ime u argëtua nga të gjithë kafshët që nuk flisnin por ishin ato që janë, të paktën aq minuta sa pa, 8 vjeçari im u bind se të ndryshmit mund të bëhen bashkë nëse e do nevoja, dhe se mund të zgjedhësh edhe ndryshe nga ajo që ‘natyra ka parashikuar për ty’, ndërsa 5 vjeçari im u mërzit që në film zogu dhe balena vdiqën, por më shumë pse nuk iku balena në qiell…