Presidenti i Republikës, Bajram Begaj uroi Kosovën për formimin e qeverisë së re dhe kryeministrin Albin Kurti për mandatin e tij të ri.
Me një postim në rrjetin social Facebook, kryetari i shtetit shpreh bindjen se përkushtimi dhe bashkëpunimi në dobi të shtetit dhe qytetarëve do të udhëheqin të gjithë klasën politike të Kosovës në përballimin e sfidave që janë përpara.
Kreu i shtetit siguron qeverinë e re për vijimin e mbështetjes nga ana e Shqipërisë.
Urime Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit z. Albin Kurti!
I uroj suksese në mandatin e ri, në drejtimin e Qeverisë drejt progresit, zhvillimit dhe begatisë së popullit të Kosovës.
Shpreh bindjen se përkushtimi dhe bashkëpunimi në dobi të shtetit dhe qytetarëve do të udhëheqin të gjithë klasën politike të Kosovës në përballimin e sfidave që janë përpara.
Ju sigurojmë për vijimin e mbështetjes vëllazërore për Qeverinë tuaj dhe bashkëkombasit tanë, shkruan Begaj.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, ndërsa uroi kryeministrin Albin Kurtin për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës u shpreh e gatshme të organizojë së shpejti një takim të nivelit të lartë lidhur me dialogun mes dy vendeve.
Pas më shumë se një viti bllokadë politike, formimi i qeverisë së re të Kosovës është një lajm inkurajues. Tani e rëndësishme është që të ecet me shpejtësi në zbatimin e reformave. Kjo është mënyra më e shpejtë për të zhbllokuar mbështetjen e BE-së në vlerë prej qindra milionë eurosh dhe për të shënuar përparim në rrugën drejt BE-së, thuhet në mesazhin e Kaja Kallas.
Lajm të mirë e cilësoi zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës, Komisionerja e Zgjerimit të BE-së Marta Kos.
Fokusi tani mund të zhvendoset në avancimin e reformave të BE-së dhe marrjen përfitimeve nga Plani i Rritjes. Pres me padurim të vizitoj Kosovën së shpejti!