Fundjava amerikane e Formula 1 në Majemi është mbyllur nën dominimin absolut të makinave MekLaren. Pas Sprintit të së shtunës që pa Lando Norrisin fitues dhe Oskar Piastrin në vend të dytë, pilotët e makinave portokalli ndërruan pozicionet në Çmimin e Madh të së dielës. Piastri triumfoi në garën e madhe, falë një paraqitje fantastike, duke u shfaqur superior ndaj rivalëve në pistë. I nisur nga pozicioni i pestë, piloti australian arriti të merrte një sukses me vlera, duke i konsoliduar edhe më pozitat në vendin e parë të renditjes. Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për Piastrin pas triumfeve në Bahrejn dhe në Arabinë Saudite dhe e katërta gjithsej në këtë sezon.
Shoku i skuadrës, Lando Norris në vend të dytë dhe Xhorxh Rasëll i Mercedesit në vend të tretë, kompletuan podiumin e djeshëm në SHBA. Vetëm vendi i katërt për Maks Vershtapenin, me holandezin e Red Bullit që e nisi nga “pole position”. Më tej në finish mbërritën Aleks Albon, i pesti më makinën Uilliams dhe Andrea Kimi Antoneli në vendin e gjashtë me Mercdesin e tij. Tjetër garë zhgënjyese për pilotët e Ferrarit, teksa skuadra nga Maranelo nuk ishte në gjendje të luftonte për kreun.
Sharl Lëklerk e mbylli në vend të shtatë dhe Luis Hamilton në të tetin, me pilotët që shkëmbyen pozicionet në xhirot e fundit të garës. Ndërkohë Karlos Sainz dhe Iuki Tsunoda plotësuan dhjetëshen e parë. Pas gjashtë ndalesave të para të sezonit, Piastri kryeson renditjen e pilotëve me 131 pikë, i ndjekur nga Lando Norris me 115 dhe Maks Vershtapen me 99 pikë. Për sa i përket klasifikimit të konstruktorëve, MekLaren duket se po shkon drejt titullit të dytë radhazi, teksa i forcon pozitat në vendin e parë me 246 pikë, duke lënë pas në vend të dytë Mercedesin me 141 pikë dhe Red Bullin me 105 pikë. Gara e radhës e Botërorit 2025 në F1 do të jetë të dielën e 18 majit në Emilja Romanja të Italisë.
Formula 1 përcillet ekskluzivisht në DIGITALB.