Aktualitet Bota Politikë

Forumi i Davos/ Trump nuk tërhiqet, sërish thirrje vendeve të NATO-s: Duhet të shpenzoni 5% të PBB-së për mbrojtjen!

Presidenti Donald Trump përsëriti këtë të enjte dëshirën e tij që të gjitha vendet anëtare të NATO-s të shpenzojnë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për buxhetet e tyre të mbrojtjes, ndërsa foli virtualisht në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, që po mbahet në Zvicër.

“Ndërsa rivendosim sensin e përbashkët në Amerikë, ne po lëvizim shpejt për të rikthyer forcën, paqen dhe stabilitetin jashtë vendit”, tha Trump duke folur nga Shtëpia e Bardhë.

“Unë do t’u kërkoj gjithashtu të gjitha vendeve të NATO-s që të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të PBB-së, që është ajo që duhet të ishte vite më parë,” tha ai.

 LEXO EDHE: Analiza e VOA: OKB ka pak alternativa për fonde pasi SHBA tërheq mbështetjen
“Ishte vetëm në 2% dhe shumica e kombeve nuk paguanin derisa erdha unë,” shtoi presidenti.

“Kam insistuar që ata të paguajnë, dhe ata e bënë, sepse Shtetet e Bashkuara po paguanin vërtet diferencën në atë kohë”, theksoi ai.

LEXO EDHE: TikTok nuk do mbyllet! Kompania kineze shpjegon variantin e saj për bisedën me kryeministrin Rama

Ndërsa shumica e anëtarëve të NATO-s nuk e përmbushin objektivin e aleancës që çdo anëtar të shpenzojë një minimum prej 2% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen, objektivi prej 2% është një “udhëzues” që nuk krijon fatura, borxhe apo detyrime ligjore nëse nuk plotësohet, e ndërsa Trump nuk është presidenti i parë që ankohet për shpenzimet e NATO-s .

Trump njoftoi gjithashtu se do të kërkojë nga Arabia Saudite dhe organizata OPEC që të ulin çmimet e naftës. Ai theksoi se, “Nëse çmimet e naftës bien, lufta në Ukrainë do të përfundojë menjëherë.”
Presidenti amerikan shprehu shqetësimin e tij për numrin e lartë të viktimave në Ukrainë, duke e krahasuar situatën me Luftën e Dytë Botërore.

Republikani konfirmoi se ka ndërmarrë masa të menjëhershme për të ndaluar atë që ai e quajti “pushtim” në kufirin jugor të SHBA-së me Meksikën. Ai njoftoi se ushtria është dislokuar për të siguruar kufijtë dhe për të parandaluar hyrjen e paligjshme në territorin amerikan.

Trump paralajmëroi ulje historike të taksave për bizneset dhe qytetarët amerikanë.

“Do të bëjmë uljen më të madhe të taksave në historinë e Shteteve të Bashkuara,” tha ai.
Ai gjithashtu inkurajoi bizneset ndërkombëtare që të prodhojnë në SHBA, duke ofruar taksa më të ulëta.

“Nëse nuk vini të prodhoni këtu, do të paguani tarifa doganore të larta që do të sjellin miliarda dollarë në ekonominë tonë,” shtoi ai.
Trump kritikoi Green Deal-in, duke e quajtur “Green Bluff”. Ai tha: “Do t’u lejojmë njerëzve të blejnë makinat që dëshirojnë.” Ai gjithashtu bëri thirrje për ulje globale të normave të interesit, duke theksuar se ato duhet të bien në të gjithë botën.

Presidenti Trump vuri në shënjestër Bashkimin Evropian, duke paralajmëruar vendosjen e tarifave për vendet e BE-së. “Europa do të duhet të paguajë tarifa, dhe këto të ardhura do të përdoren për të ulur borxhin publik të SHBA-së,” deklaroi ai.

Deklaratat e Trump në Forumin e Davos reflektojnë qëndrimin e tij të vendosur për të mbrojtur interesat e SHBA-së, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë gjeopolitik, ndërkohë që kritikat ndaj aleatëve dhe kundërshtarëve vazhdojnë të jenë një pjesë kyçe e politikës së tij.