Dy fëmijë kanë gjetur vdekjen në Teksas nga fruthi, ku shpërthimi i sëmundjes e ka çuar në gati 500, numrin e rasteve dhe është përhapur në 22 shtete të tjera amerikane. Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Robert F. Kennedy Jr, kundërshtar i vjetër i vaksinave, i cili më parë këmbëngulte se vaksinimi është zgjedhje personale, dje tha se vaksinat janë mbrojtja më e mirë kundër fruthit.
Mënyra më efektive për ta parandaluar përhapjen e fruthit është vaksina [kundër fruthit, shytave dhe rubeolës], shkroi Kennedy në rrjetin social X.
Zyrtarët shëndetësorë në Teksas thanë se fëmija i dytë që humbi jetën ishte një vajzë 8-vjeçare e pavaksinuar, pa sëmundje të tjera. Në këtë shtet, fruthi nisi të përhapej nga fundi i janarit. Në Shtetet e Bashkuara, fruthi u shpall i eliminuar nga viti 2000 dhe për rastet fajësoheshin udhëtarë nga vende të tjera.
Kennedy tha se ka 642 raste të konfirmuara me fruth, 499 prej tyre vetëm në Teksas. Zyrtari shtoi se ekipe nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) janë dërguar në Teksas, me kërkesë të guvernatorit Greg Abbott. Në të kaluarën, Kennedy kishte rekomanduar vitaminën A dhe ushqimin e mirë si trajtim për fruthin.
Studimet në disa vende në zhvillim kanë treguar se vitamina A mund ta zvogëlojë ashpërsinë e simptomave, por gjithashtu mund të shkaktojë toksicitet në mëlçi nëse merret në sasi të larta. Shumë demokratë e kundërshtuan emërimin e Kennedy-t, djali i senatorit të ndjerë Robert F. Kennedy dhe nipi i presidentit John F.Kennedy, për shkak të teorive të tij të pazakonta për shëndetin, përfshirë qëndrimin kundër vaksinave.
Zyrtarët kanë thënë se vaksina kundër fruthit është 97% efektive pas dy dozave. Në faqen në internet, CDC-ja tha se vaksina është “mbrojtja më e mirë kundër fruthit”, që përhapet nëpërmjet ajrit kur një person i infektuar teshtin apo kollitet.
Deri tani, këtë vit, numri i rasteve me fruth në Shtetet e Bashkuara është dyfish më i madh se i gjithë viti i kaluar. Përveç Teksasit, shtetet me tri ose më shumë raste janë Nju Meksiko, Kansas, Ohajo e Oklahoma. Kjo sëmundje përhapet në zona me nivel të ulët të vaksinimit. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha javën e kaluar se rastet me fruth në Meksikë janë të lidhura me ato në Teksas.