Sport

FSHF-ja publikon rregullat para ndeshjes Shqipëri-Serbi!

Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar disa rregulla që tifozët duhet të kenë parasysh gjatë ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026 dhe që luhet sonte nga ora 20:45 në “Arenën Kombëtare”. Gjithçka do të vijë live përmes transmetimit në Digitalb.

Sipas njoftimit, çdo person që hyn në stadium duhet të jetë i pajisur me një mjet identifikimi, ndërsa të gjithë do t’i nënshtrohen kontrolleve fizike nga stjuardët. Ndalohet rreptësisht kalimi i barrierave dhe çdo tentativë për të shmangur pikat e kontrollit.

Gjithashtu, FSHF rikujton se mbajtja e armëve të zjarrit apo të ftohta, parrullat me përmbajtje urrejtjeje, biletat false, si dhe futja në fushë, konsiderohen vepra penale dhe do të ndiqen penalisht.

Një tjetër pikë e rëndësishme është se gjatë gjithë kohës, tifozët do të jenë nën vëzhgim nga kamerat e sigurisë, çka do të thotë se çdo veprim i papërshtatshëm do të identifikohet menjëherë.

FSHF u bën thirrje të gjithë tifozëve që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë për një atmosferë të qetë dhe sportive.

Ndërkaq, kryeqyteti është mbërthyer nga atmosfera e kësaj përballjeje sportive. Në rrugët dhe mjedise të lokaleve janë vendosur flamujt kuq e zi.