Aktualitet Sport

Shqipëri-Serbi, “The Guardian”: Gati pajisjet kundër dronëve, Ismail Morina është “zhdukur”!

Gazeta britanike “The Guardian” i ka kushtuar një artikull përgatitjeve për ndeshjen Shqipëri-Serbi që nis sonte më 20:45 në “Arenën Kombëtare” e transmetohet live në Digitalb.

Jashtë një kafeneje, tre blloqe larg “Arenës Kombëtare”, dy burra qëndronin mbi karrige dhe po montonin pajisje në tendën mbrojtëse. Dreka e së enjtes sapo ka kaluar dhe Tirana po përgatitet për një ndeshje që mund të mbushë stadiumin kombëtar të paktën 10 herë. Nuk ka asnjë vështirësi për të identifikuar flamurin shqiptar, me shqiponjën e zezë me dy koka që shtrihet në qendër të tij.

Edhe flamuri i dytë është bërë i zakonshëm. Me fjalën “Autochthonous” e me një version të hartës së “Shqipërisë së Madhe”, një ndeshje futbolli e shndërroi në incident madhor diplomatik në vitin 2014. Të premten në mëngjes, ai flamur u zëvendësua me një version më pak nxitës.

Autoritetet duan të eliminojnë çdo shkak të mundshëm për trazira, si ato që shpërthyen në Beograd, rreth 11 vite më parë kur një dron uli imazhin e diskutueshëm në stadiumin e Partizanit, në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Europian mes Serbisë e Shqipërisë. Pasojat e asaj nate shkuan përtej sportit e pati lehtësim të përgjithshëm kur në nëntorin pasues, ndeshja e kthimit në Elbasan kaloi pa incidente madhore.

Me siguri, fytyrat u vunë në pëllëmbë në federatat e të dy vendeve kur dhjetorin e kaluar, shorti i kualifikueseve për Kupën e Botës 2026 i vendosi përballë. U ngritën vetullat në arenën ndërkombëtare, por nuk kishte gjë që i pengonte të përballeshin sërish. Pavarësisht një historie të gjatë e të përgjakshme, plagët më të freskëta të së cilës janë nga lufta në Kosovë, kombet nuk janë në konflikt aktiv. Asnjëri nuk kishte kërkuar të shmangte tjetrin. E pashmangshme që problemi i marrëdhënieve në kontekstin e futbollit të rishfaqej një ditë.

Asnjë burim nuk po kursehet për ta zgjidhur. Rreth 2 mijë efektivë policie për ndeshjen e parë të Grupit K, përfshirë forcat speciale dhe antiterror. Gjithashtu, burime sugjerojnë se deri në 500 policë me rroba civile do të jenë mes 22,500 spektatorëve. Tifozët e huaj nuk do të jenë të pranishëm. Pajisje kundër dronëve janë instaluar në zonën përreth për rrëzim të tyre.

Me shumë gjasa, çdo përpjekje për trazira do të marrë një formë tjetër. Dronët nuk ishin aq të zakonshëm në jetën publike kur ai mjeti i vogël shkaktoi kaos në Beograd. Por, masat e marra rikujtojnë Ismail Morinën, operatorin e vinçit me mjekër dhe pamje të padëmshme, i cili u shpall hero kombëtar për pranimin e përgjegjësisë për incidentin e vitit 2014. Edhe pse atëherë nuk u raportua gjerësisht, Morina kishte një bashkëpunëtor i cili ka preferuar të qëndrojë në hije.

Veprimi i Morinës pati kosto. Ai u arrestua për mbajtje të paligjshme armësh para vizitës së Serbisë më 2015-ën, duke u mbajtur larg syve të publikut gjatë asaj ndeshjeje. Më pas u burgos në Kroaci dhe Itali, ku kishte leje qëndrimi, sipas një urdhër-arresti serb të lëshuar përmes Interpolit. Ai u rikthye në stadiumet shqiptare, duke u ngritur mbi krahët e tifozëve në ndeshjen ndaj Çekisë në vitin 2023 e duke shkëmbyer fanella me golashënuesin Jasir Asani. Së fundmi është parë në ndeshje vendore, por në prag të takimit të 7 qershorit, llogaritë e tij të dikurshme në rrjetet sociale janë zhdukur. Nëse ndonjëri nga të njohurit e tij e di se ku ndodhet, nuk e thotë. Supozohet se ai nuk do të rrezikonte të afrohej pranë stadiumit.

Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka shitur bileta në grup për tifozët organizuar, por i ka shpërndarë përmes shortit nga më shumë se 200,000 aplikime dhe ka rritur çmimet. Kjo duket si përpjekje e qëllimshme për të “pastruar” ajrin. Grupi “Tifozat Kuq e Zi” që krijon pamjen më të gjallë në ndeshjet e kombëtares, reagoi ashpër dhe e cilësoi një “farsë të organizuar” në favor të të pasurve. Ata do të organizojnë një grumbullim alternativ te Piramida e Tiranës, 400 metra nga stadiumi, ku është dhënë leje për një ekran gjigant. Në tregun e zi, çmimet e biletave kaluan 1,000 paund.

Fakti që Shqipëria dhe Serbia do të bashkëpresin Kampionatin Europian U-21 në vitin 2027, shton një dimension tjetër. Pritshmëritë janë të larta për vendasit e po aq janë edhe për organin drejtues të futbollit europian, UEFA. Një marrëveshje kaq ambicioze, e shtyrë kryesisht nga presidenti i FSHF-së dhe nënkryetari i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Armand Duka, mund të duket e paqëndrueshme nëse ndodh ndonjë incident. “Tifozat Kuq e Zi” kanë shprehur kundërshtinë ndaj bashkë-organizimit si me fjalë, ashtu edhe me simbole vizuale e mendojnë se kjo ka ndikuar në përjashtimin e tyre.

Elseid Hysaj, mbrojtësi i Lazios është i vetmi lojtar aktual që ishte në ndeshjen kaotike të Beogradit.

Nuk duhet të përsërisim pamjet e viteve të kaluara, tha ai. Trajneri na ka kërkuar të mos panikosemi për këtë ndeshje. Duhet qetësi dhe ekuilibër emocional.

Sylvinho, trajneri në fjalë dhe një prej karaktereve më të afërt të futbollit ndërkombëtar, bëri shaka ndërsa luante me top me ndihmësit e tij, por është nën presion për të dhënë rezultate. E njëjta gjë vlen për homologun Dragan Stojkoviç. Anglia, që plotëson pesëshen e Grupit K bashkë me Letoninë dhe Andorrën, shihet si fituese e sigurt nga të dy kampet.

Shqipëria dhe Serbia e dinë që po luftojnë për një vend në “play-off” dhe përballjet mes tyre, (e dyta do të zhvillohet për katër muaj) do të jenë vendimtare.

Të premten më 13:40, lojtarët e Serbisë mbërritën në hotelin e tyre, një milje në perëndim të qendrës së Tiranës. Oficerë të armatosur nga RENEA, forca antiterror e Shqipërisë, rrethuan dy autobusë që kishin udhëtuar me eskortë nga aeroporti. Hapi i parë i një operacioni që do të zgjasë gjatë fundjavës kaloi pa probleme. Nëse gjithçka mbetet kështu, ndoshta hija e 14 tetorit 2014 do të fillojë më në fund të zhduket.