Në një botë ku çdo moment është i planifikuar dhe i dokumentuar, fundjavat e paorganizuara janë bërë një luks i vërtetë. Koncepti i “No Plans Weekend”, fundjavës pa angazhime sociale apo profesionale, po fiton gjithnjë e më shumë ndjekës mes njerëzve që kërkojnë rikthimin te vetja, pa zhurmë e pritshmëri.
Fundjavat zakonisht lidhen me udhëtime, darka, festa apo aktivitete të planifikuara deri në detaje. Por a ndihesh ndonjëherë më i lodhur të hënën sesa të premten? Kjo sepse ndonjëherë fundjava nuk është aspak pushim, por një tjetër formë detyrimi.
“No Plans Weekend” është një zgjedhje e vetëdijshme për të mos planifikuar asgjë, për të qëndruar në shtëpi, për të lexuar, për të parë një film pa lista “must-watch” ose për të bërë gjëra të vogla që shpesh i anashkalojmë. Është një pauzë e plotë që i jep trupit dhe mendjes hapësirë për të marrë frymë.

Ky lloj pushimi pa qëllim të dukshëm ka efekte të mëdha: redukton stresin, rrit kreativitetin dhe ndihmon në rivendosjen e energjive. Kur nuk ka pritshmëri, ka më shumë prani. Dhe kur nuk ka presion për të qenë diku, mëson të jesh më shumë aty ku je, në të tashmen.
Për disa njerëz, kjo mënyrë fundjave mund të duket e çuditshme në fillim. Por me kohën, ajo shndërrohet në një ritual të dëshiruar që kthen balancën dhe ul ritmin e zhurmshëm të jetës moderne. Herën tjetër që të thonë “çfarë do bësh këtë fundjavë?”, provo të përgjigjesh thjesht:
Asgjë. Dhe pikërisht për këtë, mezi po e pres.