Fushata e re reklamuese me aktoren Sydney Sweeney ka ngjallur polemika të shumta në rrjetet sociale, ku përdoruesit e kanë kritikuar ashpër për mesazhe që konsiderohen si aluzione raciste dhe për promovim të ideologjisë naziste.
Reklama mban titullin “Sydney Sweeney ka xhinse të shkëlqyera”, një lojë fjalësh midis termave “gjenet” (genes) dhe “xhinset” (jeans), të cilat në anglisht shqiptohen njësoj.
Kjo qasje ka ngjallur reagime të forta, pasi sipas shumë ndjekësve, nënkupton se tiparet si sytë blu dhe flokët bjonde janë më të dëshirueshme – një ide e rrezikshme që është përdorur historikisht nga ideologjitë raciste.
Në një nga videot promovuese, aktorja 27-vjeçare shfaqet e veshur me veshje të gjitha prej xhinsi, duke ecur drejt një billboardi ku është imazhi i saj.
Ajo fshin fjalën “Gjene” dhe e zëvendëson me “Xhinse”, ndërsa në një tjetër klip, dëgjohet një zë që përshkruan sesi gjenet ndikojnë në karakteristikat e jashtme dhe personalitet. Në fund, Sweeney shikon në kamera dhe thotë: “Xhinset/gjenet e mia janë blu”.
Kjo frazë ka ngritur shqetësime të mëdha, pasi shumë përdorues në TikTok e kanë cilësuar si një mesazh të koduar që nënvizon epërsinë e karakteristikave kaukaziane, duke rikujtuar retorikën e ideologjive të ekstremit të djathtë.
Për momentin, as aktorja dhe as kompania pas fushatës nuk kanë dhënë ndonjë reagim zyrtar ndaj kritikave. Ndërkohë, debati vazhdon të përshkallëzohet online.