Aktualitet

Gërdeci, shtyhet seanca/Mediu: Nuk kam lidhje me kalibrat e municioneve!

Shtyhet seanca për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu lidhur me masakrën e Gërdecit. Kjo pasi Gjykata e Posaçme u la kohë avokatëve të përgatisin pyetjet për ekspertët ushtarakë, që kanë përcaktuar edhe shkakun e shpërthimit të demontimit të armëve në Gërdec. Pas seancës, Mediut tha se “është absurde që ministri të hetohet për çështje të karakterit ushtarak”. Sipas tij, përgjegjësitë janë të ndara, si dhe bëri të ditur se ekspertët nuk ishin prezentë e pyetjet do t’u dërgohen me shkrim.

Eshtë një situatë kaq absurde sa është tërësisht e papranueshme që ministri të gjykohet se çfarë janë kalibrat apo elemente të tjerë që nuk kanë të bëjnë me detyrën e tij. Këto çështje janë të karakterit ushtarak. Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe janë të ndara përgjegjësitë civile e ushtarake. Jemi në një realitet që është absurd.

Fakti për debatin e sotëm ishte sepse dy nga ekspertët nuk ishin prezentë e do të kishim dy procese paralele, duhet t’i çonim atyre pyetjet me shkrim për të marrë përgjigjet dhe pjesa tjetër do të përgjigjej me gojë.

Pra, për të pasur një proces korrekt u la që t’i përcillen pyetjet me shkrim. Edhe pse ne kërkuam që debati të bëhej drejtpërdrejtë sepse ata janë ekspertë dhe kanë dijeni mbi atë se çfarë kanë shkruar.

Por në këto rrethana u gjykua që ishte korrekte për të pasur një përgjigje nga të gjithë ekspertët sesa të kemi dy procese paralele.

Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh, me kërkesë të familjes së një prej viktimave të shpërthimit më 15 mars 2008, në mjediset e ish-“Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur.

Gjyqi ndaj Fatmir Mediut vijon prej prillit 2023. Sipas SPAK-ut, Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit dhe ka favorizuar dy kompanitë “SAC” e “Albademil”. Për këtë çështje, ai akuzohet për “Shpërdorim detyre” referuar Kodit Penal dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.