Për herë të 15-të në historinë e saj, “Giro d’Italia” do të niset jashtë Italisë, duke filluar nga Durrësi. Ky do të jetë një moment i shkëlqyer për Shqipërinë, që do të shfaqet para syve të botës në një nga tri garat më të mëdha çiklistike. Edicioni i 108-të do të nisë me një etapë emocionuese nga Durrësi në Tiranë, e pasuar nga një garë kronometër 13.7 km në Tiranë dhe një tjetër cirkuit në Vlorë, që do të përfshijë ngjitjen e parë të vërtetë në Llogara.
Sprint-erët do të duhet të jenë gati kur Xhiro të zbresë në Itali me finishin e parë në Lecce, Matera ndjekur nga Napoli me Finalen në “Via Caracciolo”. Klasifikimi i përgjithshëm do të marrë një formë të qënësishme në etapën e 8 që do përfundojë në Tagliacozzo, ndërsa etapa e 9 në Castelraimondo. Përpara ditës së parë të pushimit, karvani rozë do të kalojë në rrugët e Toskanës me etapën Gubbio – Siena e cila ka rreth 30 km në terren të ashpër përpara 70 km përmbyllës në “Piazza del Campo” si tribut i klasikes “Strade Bianche”.
Në këtë moment Xhiro do të ketë marrë formën e saj dhe vazhdimi do të jetë gara kronometër prej 28.6 km nga Lucca në Pisa. Një ditë më pas në “Castelnovo ne’ Monti” do të kalohet në malet “Pietra di Bismantova”. Gara që përfundon me sprintin në Viadana paraprin ngjitjen në “Monte Berico” në Vicenza ku çiklistët e shpejtësisë mund të ngjiten në katedër. Gara e 14 e dërgon Xhiron në Slloveni, atdheu i më të mirëve në vitet e fundit e për këtë etapa do të përfundojë në Nova Gorica. Java e dytë mbyllet në Asiago duke kaluar nëpërmjet “Monte Grappa” që ka në qendër ngjitjen në Dori, pasuar nga dita e dytë dhe e fundit e pushimit.
Java e tretë do të fillojë me etapën që mbyllet në San Valentino (Brentonico) ndërsa etapa e 17 sjell kalimin në “Passo del Tonale” dhe legjendaren Mortirolo, duke kulmuar në Bormio – një binom etapash deçizive që do të formësojë akoma më shumë Klasifikimin e Përgjithshëm. Sprinti në Cesano Maderno shoqërohet nga etapa Biella – Champoluc, brutale sa ju përket ngjitjeve të tilla si “Col Tzecore”, “Col Saint-Pantaléon”, “Col de Joux” dhe zbritjes delikate në Antagnod. Etapa e parafundit është një test i vërtetë rezistence që përfshin të famshmet “Colle delle Finestre” për ti lënë vendin mbylljes në Sestrière përpara fluturimit drejt Romës për paradën ceremoniale në rrugët historike dhe monumentet e “Qytetit të Përjetshëm”.
Kujtojmë se dje, kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të “Xhiros së Italisë 2025”, si një nga personalitetet mes organizatorëve të eventit. Rama foli gjerësisht për lidhjet e forta që Shqipëria ka me Italinë, veçanërisht në sport.