Gossip

Gisele Bündchen bashkohet me Princin William për të shpëtuar planetin? “Çdo veprim ka rëndësi”

Princi William ka përfshirë një emër të njohur botërisht në nismën e tij mjedisore. Supermodelja dhe filantropja braziliane Gisele Bündchen i është bashkuar zyrtarisht ekipit të “Çmimit Earthshot”, një projekt që princi e krijoi në vitin 2020 për të shpërblyer idetë dhe nismat që ndihmojnë në shpëtimin e planetit.

45-vjeçarja do të bëhet pjesë e jurisë elitare që do të përzgjedhë fituesit e radhës, përkrah personaliteteve si Cate Blanchett, Sir David Attenborough dhe Dr. Ngozi Okonjo-Iweala, drejtoreshë e Organizatës Botërore të Tregtisë.

Së bashku, ata do të vlerësojnë 15 finalistët që garojnë me projekte për të mbrojtur natyrën, për të pastruar ajrin, ringjallur oqeanet dhe reduktuar mbeturinat, me synimin për të ndërtuar një të ardhme më të gjelbër.

Angazhimi i Bündchen për mjedisin nuk është i ri. Ajo ka krijuar “Projektin e Ujit të Pastër” në Brazil, mbështet nisma për ripyllëzim dhe ruajtjen e jetës së egër, si dhe bashkëpunon ngushtë me “Programin e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin”. Përmes “Fondacionit Luz”, ajo gjithashtu promovon kauza sociale që lidhen me të drejtat e grave dhe fëmijëve, shëndetin dhe arsimin.

Mbrojtja e natyrës ka qenë gjithmonë afër zemrës sime

-tha Bündchen në një deklaratë.

Çdo veprim, i madh apo i vogël, ka rëndësi. Së bashku mund të krijojmë ndryshim për të mbrojtur planetin që e quajmë shtëpi. Jam e nderuar të përfaqësoj Brazilin në këtë nismë dhe të ndihmoj në ndarjen e historive që frymëzojnë shpresë e transformim.

Çmimi Earthshot, i konsideruar si një nga iniciativat më ambicioze për mjedisin global, do të shpallë fituesit e tij të ardhshëm më vonë këtë vit.