Princi i Uellsit ka paralajmëruar se do të sjellë ndryshime në monarki kur të ngjitet në fron, në një intervistë që burime të pallatit e kanë cilësuar si më të hapurën që ai ka dhënë ndonjëherë.
Në bisedën e zhvilluar me aktorin Eugene Levy në Windsor, për shfaqjen e Apple TV+ “The Reluctant Traveller”, Princi William u pyet mbi rolin e tij të ardhshëm si Mbret dhe mënyrën se si e sheh monarkinë në të ardhmen.
Mendoj se mund të them me siguri se ndryshimi është në axhendën time
-tha ai.
E përqafoj ndryshimin, nuk kam frikë prej tij. Ideja që mund të sjell disa ndryshime, jo tepër radikale, por ato që mendoj se janë të nevojshme, është diçka që më emocionon.
Princi mbërriti në takim me një skuter elektrik, duke i treguar Levy-t ambientet e Kështjellës Windsor dhe duke folur për rëndësinë e historisë familjare. Megjithatë, ai pranoi se trashëgimia e gjatë e monarkisë mund të ndjehet si një peshë e rëndë.
Nëse nuk je i kujdesshëm, historia mund të të kufizojë dhe të të mbytë. Mendoj se është e rëndësishme të jetosh në të tashmen
-theksoi ai.
Duke nënvizuar rëndësinë e traditës, Princi William shtoi se është i gatshëm të vërë në dyshim disa zakone për ta mbajtur monarkinë të rëndësishme në kohët moderne.
Ka raste kur shikon traditën dhe mendon: a është ende e përshtatshme për sot? A po sjellim ende ndikimin më të madh që mundemi? Më pëlqen t’i vë në dyshim gjërat, kjo është ajo që dua të them
-u shpreh Princi i Uellsit.