Gjatë pandemisë, Hollywood kishte frikë se të rinjtë do të largoheshin nga kinematë, duke preferuar telefonat dhe platformat streaming. Por një studim i ri nga Fandango, i raportuar nga Variety, tregon një realitet krejt tjetër: Gjenerata Z po dominon sallat e filmit.
Sipas të dhënave, ky grup demografik është aktualisht më aktivi në kinema. Ata jo vetëm që shkojnë më shpesh, por edhe shpenzojnë më shumë për çdo vizitë dhe preferojnë përvoja premium si IMAX.
Anketa me 7,000 të rritur zbulon se 87% e Gjeneratës Z dhe 82% e mijëvjeçarëve kanë parë të paktën një film në kinema gjatë vitit të fundit.
Në krahasim, vetëm 70% e Gjeneratës X dhe 58% e “baby boomers” kanë ndjekur të njëjtin trend. Mesatarisht, të rinjtë shkojnë rreth shtatë herë në vit në kinema, dukshëm më shumë se grupmoshat e tjera.
Për Gjeneratën Z, kinemaja nuk është thjesht argëtim, por një eksperiencë sociale, ndërsa mijëvjeçarët e shohin si një mënyrë për t’u shkëputur nga rutina.
Megjithatë, sfidat mbeten: çmimet e biletave, oraret dhe organizimi i kohës vazhdojnë të jenë pengesa.
Pavarësisht një rënieje të përgjithshme prej rreth 20% krahasuar me periudhën para pandemisë COVID-19, ekspertët theksojnë se janë pikërisht të rinjtë ata që po e mbajnë gjallë përvojën e kinemasë.
Sipas Fandango, vera e vitit 2026 pritet të jetë një nga periudhat më të forta për arkëtimet, me 76% të shikuesve që planifikojnë të vizitojnë kinematë.
Ndër filmat më të pritur janë “Toy Story 5”, “Spider-Man: Brand New Day”, “The Devil Wears Prada 2”, “The Odyssey” dhe “Scary Movie 6”.
Të gjitha këto tregojnë se, ndryshe nga sa mendohej, kinemaja nuk po zhduket, përkundrazi, po rilind falë brezit të ri.