Qeveria kineze ka vendosur rregulla të reja për influencuesit dhe krijuesit e përmbajtjes, duke ndaluar ata që flasin për tema profesionale pa pasur diplomë apo kualifikim përkatës. Kush trajton fusha si mjekësia, ligji, financat, arsimi apo shëndetësia, duhet të provojë me dokumente shkollimin e duhur. Përndryshe, rrezikon gjoba deri në 100,000 juanë (rreth 13,000 euro) dhe mbylljen e llogarisë.
Platformat si Douyin (versioni kinez i TikTok) dhe Weibo do të mbajnë përgjegjësi për verifikimin e kredencialeve të përdoruesve që publikojnë përmbajtje të tilla. Qeveria thotë se masa synon të luftojë dezinformimin online dhe të rrisë cilësinë e përmbajtjes, por vendimi ka ndezur debat. Disa e shohin si një mjet kontrolli shtetëror ndaj lirisë së shprehjes, ndërsa të tjerë si një mënyrë për të mbrojtur publikun nga mashtrimet dhe informacionet e rreme
Si qëndrojnë të informuar sot njerëzit rreth asaj që ndodh në botë? Në shumicën e vendeve, televizioni, gazetat dhe faqet tradicionale të lajmeve po humbasin terren. Sipas raportit më të fundit të Reuters Institute, interesi për mediat tradicionale është në rënie, me besim të ulët, angazhim të dobët dhe abonime që nuk po rriten më.
Në një kohë pasigurie politike dhe ekonomike, krizash klimatike dhe konfliktesh të vazhdueshme, nuk mungojnë temat për t’u raportuar. Por publiku po i drejtohet burimeve të reja për t’u informuar, kryesisht rrjeteve sociale, platformave të videove dhe faqeve përmbledhëse online. Përdorimi i rrjeteve sociale për të ndjekur lajme po rritet në shumë vende, veçanërisht në SHBA, Amerikën Latine, Afrikë dhe disa vende të Azisë Juglindore. Në SHBA, për herë të parë, përdorimi i rrjeteve sociale dhe videove për të lexuar lajmet ka tejkaluar televizionin dhe faqet tradicionale të lajmeve.
Edhe në Europë, ku mediat tradicionale janë treguar më rezistente, përdorimi i rrjeteve sociale për lajme është në rritje. Në Mbretërinë e Bashkuar dhe Francë, rreth një në pesë persona tashmë informohet kryesisht përmes rrjeteve sociale, një rritje e ndjeshme krahasuar me një dekadë më parë. Në të gjitha vendet e përfshira në raport, konsumi i videove për lajme është në rritje.