Aktualitet

Gjobitet shoferi i kamionit që kryente manovra të gabuara në autostradën Tiranë-Durrës!

Drejtuesi i një kamioni i cili kryente manovra të gabuara në autostradën Tiranë-Durrës është gjobitur nga Policia Rrugore e kryeqytetit. Blutë njoftuan:

Në lidhje me një video të publikuar në një rrjet social, për një drejtues kamioni i cili kryen manovra të gabuara në autostradën Durrës-Tiranë, ju informojnë se: Policia Rrugore e Tiranës, ka kryer verifikimet përkatëse dhe ka vendosur masën administrative 20 000 të rinj, sipas nenit 350 të Kodit Rrugor, ndaj drejtuesit të kamionit.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

Policia e Tiranës njoftoi dje se në 1 javë ka arrestuar 14 persona dhe proceduar 20 të tjerë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. 8 prej të arrestuarve drejtonin automjetin në gjendje të dehur, 3 pa patentë, ndërsa 6 të tjerë u prangosën për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë 11 shtetas, 6 të mitur që drejtonin pa patentë, si dhe një shtetas i proceduar në gjendje të lirë për korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Gjatë javës janë vënë 12 852 masa administrative, për shkelje të ndryshme rrugore, janë tërhequr karrotrec 20 automjete që kishin zënë hapësirat e dedikuara për lëvizjen e lirë të automjeteve të tjera, si dhe janë bllokuar 17 automjete për shkelje të ndryshme rrugore.

Janë  ushtruar kontrolluar ndaj 64 kamionëve dhe autobetoniereve, ku është marrë masë administrative për shkelje të ndryshme rrugore për 5 drejtues kamionësh dhe 3 drejtues autobetonieresh.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe të mos parkojnë në hapësirat e dedikuara për mjetet e transportit publik apo ku bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve të tjera.