Gjykata e Lartë prish vendimin e Gjykatës së Apelit dhe liron nga qelia Kreshnik Farrukun. Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, Kreshnik Farruku, i cili njihet edhe si Kreshnik Budlla, do të qëndrojë në arrest shtëpie.
Ai u vetëdorëzua në janar të këtij viti dhe Gjykata e Durrësit e dërgoi në arrest shtëpie. Gjatë kësaj kohe SPAK ngriti akuzë të re për të dhe u caktua arrest me burg, masë që u rrëzua më vonë nga Gjykata e Posaçme.
Më 2 prill 2025, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) vendosi të revokojë masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj Farrukut. Kjo erdhi pas zbulimit se komunikimet në aplikacionin SKY ECC, të cilat ishin përdorur si prova kundër tij, në fakt i përkisnin vëllait të tij, Roland Farruku.
Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi, Farruku nuk u lirua nga burgu. Kjo për shkak se Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm kishte ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest shtëpie” në “arrest në burg” për qëllime ekstradimi
LEXO EDHE: Durrës, vritet me armë zjarri në një atentat 29-vjeçari i përfshirë në trafik droge dhe plagosje!
Ndërkohë, në seancën e 7 janarit 2025, Gjykata e Durrësit kishte marrë në shqyrtim kërkesën për arrestimin e përkohshëm ndaj Kreshnik Farrukut, pasi Gjykata e Breshias në Itali, me vendimin nr.Nr. 12042/2020 RGNR-5352/2021 RI GIP, datë 29.08.2024, kishte caktuar ndaj tij në masën e sigurimit “Arrest në burg”, si i dyshuar për veprat “Organizat kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike” parashikuar nga legjislacioni penal italian.
Sipas dosjes italiane rezultonte se Kreshnik Farruku trafikonte sasi të mëdha kokaine nga vendet e Amerikës Latine në portet e Italisë.
Autoritetet italiane kërkojnë ekstradimin e Kreshnik Farrukut dhe përballjen e tij me drejtësinë atje. Ndaj 51-vjeçarit, i njohur edhe si Kreshnik Budlla, rëndojnë akuzat “Organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.