Aktualitet

Gjyqi ndaj Berishës, avokati Gjokutaj: Kërkuam përjashtimin e gjyqtares, e njëanshme!

Në GJKKO u mbajt seanca për dosjen “Partizani”. Avokati Genc Gjokutaj tha se kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Florela Davidhi, siç tha, “për njëanshmëri të saj”. Kërkesa u depozitua në formë të shkruar. Seanca u ndërpre që të shqyrtohet kjo kërkesë. Për mediat avokati Gjokutaj shpjegoi procedurën që do te ndiqet pas kërkesës unanime të avokatëve.

Ne unanimisht, të gjithë subjektet e kësaj çështjeje morëm vendimin për të kërkuar përjashtimin e gjyqtares Florela Davidhi nga kjo çështje, për njëanshmëri të theksuar në vendim-marrjen e saj. Sigurisht ato janë kërkime të qarta, të bazuara në ligj dhe një kaos gjyqësor, i cili pa shpjeguar shkaqet  e ligjshmërisë apo paligjshmërisë së kërkimeve tona, mori një vendim të padrejtë.

Sot ne e depozituam në formë të shkruar, kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Florela Davidhi dhe sipas procedurës seanca u ndërpre sepse gjyqtarja as mund të marrë e as mund të japë vendim pa u shprehur një gjyqtar i gatshëm apo një gjyqtar tjetër i kësaj gjykate në lidhje me përjashtimin e saj.

Seanca tjetër u la për datën, nëse gjithmonë Davidhi do të jete gjyqtare e çështjes ose dikush tjetër. Seanca e radhës u caktua më 5 maj ora 11:30.

Ne jemi në çështjen që gjykohet në lidhje me zotin Berisha, Malltezi etj…Nuk jemi në një çështje që ka për objekt ligjin zgjedhor apo zgjedhjet. Ne nuk mund të pengojmë kalendarin. Ne po mundohemi të bëjmë më të mirën për një proces të rregullt ligjor. Se do vijnë zgjedhjet. Këto nuk janë zgjedhjet e para në Shqipëri….

Nga dje, Gjykata e Posaçme e pati shtyrë për sot seancën paraprake në lidhje me dosjen e privatizimit të klubit sportiv “Partizani” në Tiranë. GJKKO-ja pritej që ta marrë vendimin në orën 13:00 për kalimin ose jo për gjykim të dosjes hetimore të depozituar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ku të hetuar janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi e tre të pandehur të tjerë.