General Motors po zvogëlon operacionet në fabrikën e saj në Oshawa, Kanada, një vendim që pritet të çojë në humbjen e deri në 1,200 vendeve të punës në të gjithë zinxhirin e furnizimit. Rreth 500 prej këtyre vendeve të punës i përkasin drejtpërdrejt punonjësve të fabrikës, pasi kompania do të heqë turnin e tretë të prodhimit.
GM konfirmoi se fabrika do të vazhdojë prodhimin e kamionçinave të mëdha me benzinë të gjeneratës së ardhshme. Vendimi ka shkaktuar reagim të fortë nga sindikata Unifor, e cila akuzon kompaninë se po i nënshtrohet presionit politik nga SHBA në dëm të punëtorëve kanadezë. Sipas vlerësimeve, rreth 700 vende të tjera pune do të humbasin në kompanitë furnizuese përreth Oshawa-s.
GM thotë se punonjësit e prekur do të përfitojnë mbështetje financiare, sigurim shëndetësor dhe shërbime këshillimi gjatë periudhës së tranzicionit. Rikujtojmë se India planifikon të ulë ndjeshëm tarifat për makinat e importuara nga Bashkimi Evropian, nga deri në 110% aktualisht në 40%, në kuadër të një marrëveshjeje të tregtisë së lirë me BE-në. Sipas burimeve, ulja do të zbatohet fillimisht për një numër të kufizuar automjetesh me çmim mbi 15 mijë euro dhe me kalimin e kohës tarifat mund të zbresin deri në 10%.
Marrëveshja pritet të shpallet zyrtarisht të martën dhe është cilësuar si “marrëveshja e të gjitha marrëveshjeve”. Automjetet elektrike do të përjashtohen nga lehtësimet për pesë vitet e para, për të mbrojtur prodhuesit vendas. Ulja e tarifave pritet të favorizojë prodhues evropianë si Volkswagen, BMW dhe Mercedes-Benz. Aktualisht, tregu indian dominohet nga Suzuki dhe markat vendase Mahindra dhe Tata.