Për të dytën ditë me radhë, Greqia po lufton zjarret që kanë shkatërruar shtëpi duke çuar edhe në evakuime. Në ndihmë iu shkuan edhe zjarrfikës çekë e avionë italianë. Flakët vazhdojnë aktive në rajonin e Peloponezit, në perëndim të kryeqytetit, si dhe në ishujt Evia e Kythira. Sapo zbardhi dita, avionë dhe helikopterë rifilluan operacionet në disa pjesë të vendit fqinj.
Pritet që sot të jetë një ditë e vështirë, me rrezik shumë të lartë për zjarr pothuajse në të gjithë territorin, njoftoi zëdhënësi i brigadës së zjarrfikësve, Vassilis Vathrakogiannis, ndonëse shtoi se situata po përmirësohet.
Sinoptikanët parashikojnë se erërat e forta që kanë përhapur flakët pritet të bien sot në shumicën e zonave, por paralajmëruan se ishulli turistik Kythira, me 3.600 banorë do të vazhdojë të përballet me kushte “shqetësuese” për shkak të erërave.
Mesazhe evakuimi u dërguan sot për banorët e ishullit që ndodhet në juglindje të Peloponezit, pasi zjarri po përhapej pa u ndalur.
Shtëpi, kosheret e bletëve, pemë ulliri janë djegur, raportoi për kanalin shtetëror ERT zëvendëskryetari i Komunës së Kythiras, Giorgos Komninos. Një manastir është në rrezik të drejtpërdrejtë tani. Gjysma e ishullit është djegur.
Dhjetëra zjarrfikës, të mbështetur nga tre helikopterë dhe dy avionë, luftojnë me zjarrin në Kythira, që shpërtheu dje në mëngjes duke detyruar evakuimin e një plazhi të njohur turistik.
Më herët, Greqia kërkoi ndihmë nga aleatët e Bashkimit Europian. 11 rajone ende përballen me rrezik shumë të lartë për zjarre, sipas autoriteteve greke.
Zjarrfikësit po punojnë në disa zona të Peloponezit dhe pati shumë shpërthime të reja zjarri gjatë natës në ishullin Evia, pranë Athinës, ku flakët shkatërruan sipërfaqe të mëdha pyjesh duke vrarë mijëra kafshë fermash.
Punonjësit kanë filluar që në mëngjes përpjekjet për të riparuar dëmet serioze në rrjetin elektrik të Evias dhe disa fshatra po përballen me probleme në furnizimin me ujë.
Më në jug, në Kretë, raportet thonë se zjarret që shpërthyen dje pasdite dhe shkatërruan katër shtëpi e një kishë, tashmë janë vënë kryesisht nën kontroll.
Policia po forcon njësitet në Kryoneri, në veri të Athinës, nga frika se grabitësit mund të synojnë shtëpitë e braktisura nga banorët që kanë ikur për shkak të zjarrit. Prej rreth një jave, Greqia po përjeton kushte të një vale të nxehti, me temperatura që në shumë zona kanë kaluar 40 gradë Celsius. Pritet që i nxehti ekstrem të zbutet nga dita e nesërme.