Një histori që duket si skenar filmi ka shpërthyer në Turqi dhe po bën xhiron e mediave ndërkombëtare. Një grua 55-vjeçare nga Ankaraja ka ngritur zyrtarisht padi për atësi, duke pretenduar se babai i saj biologjik është presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Padia është depozituar në Gjykatën e 27-të Familjare të Ankarasë dhe ka në qendër një kërkesë të drejtpërdrejtë: kryerjen e një testi ADN-je për të përcaktuar nëse ekziston një lidhje biologjike mes saj dhe republikanit 79-vjeçar.
Edhe pse gjykata e shkallës së parë e hodhi poshtë kërkesën, gruaja ka apeluar vendimin, duke e mbajtur çështjen ende të hapur në sistemin gjyqësor turk.
Sipas saj, dyshimet për prejardhjen nisën vite më parë, kur vuri re mospërputhje në dokumentet e lindjes dhe dëgjoi versione kontradiktore brenda familjes. Ajo pretendon se nëna e saj biologjike ishte një shtetase amerikane e quajtur Sofia, e cila mbeti shtatzënë nga një lidhje jashtëmartesore me Donald Trump dhe e braktisi menjëherë pas lindjes.
Gruaja pohon se më pas u regjistrua si fëmijë i një tjetër gruaje, e cila kishte humbur foshnjën e saj, një praktikë që, sipas saj, ka ndodhur shpesh dekada më parë në raste birësimesh joformale.
Këto dyshime, të shoqëruara me ngjashmëri fizike që ajo thotë se sheh mes vetes, Trumpit dhe disa prej fëmijëve të tij, e shtynë të ndërmarrë hapa ligjorë.
Përveç padisë në Turqi, 55-vjeçarja ka bërë të ditur se ka nisur edhe procedura ligjore në Shtetet e Bashkuara përmes kanaleve diplomatike, duke kërkuar që çështja të shqyrtohet edhe nga një gjykatë familjare amerikane.
Kërkesa kryesore mbetet e pandryshuar: një mostër ADN-je nga Donald Trump. Testimi gjenetik konsiderohet prova më e fortë shkencore për përcaktimin e atësisë dhe përdoret gjerësisht në çështje të tilla në mbarë botën.
Në rast se pretendimi i saj do të vërtetohej, gruaja ka deklaruar se do të shqyrtonte mundësinë e krijimit të një marrëdhënieje me Trump, pa shkëputur lidhjet me Turqinë, vendin ku është rritur dhe jeton ende.
Procesi ligjor vazhdon, ndërsa historia po ndez debat dhe kureshtje të madhe: një padi që, nëse merr dritën jeshile, mund të kthehet në një nga rastet më të bujshme të atësisë në historinë moderne.