Krishtlindjet kanë ardhur shumë herët këtë vit për Hailey Bieber, pasi ajo sapo ka shitur markën e saj të kozmetikës “Rhode” kompanisë së njohur “e.l.f. Cosmetics”, në një marrëveshje që mund ta fusë modelen dhe sipërmarrësen në klubin e miliarderëve.
Sipas burimeve të sigurta, Hailey do të përfitojë 800 milionë dollarë në para dhe aksione menjëherë pas finalizimit të marrëveshjes, ndërsa një shumë shtesë prej 200 milionë dollarësh është parashikuar nëse kompania performon mirë gjatë tre viteve të ardhshme – duke e çuar vlerën totale të marrëveshjes në 1 miliard dollarë.
Kjo shitje vjen vetëm pak muaj pasi u bë publike se Hailey po punonte me “JPMorgan Chase” për të realizuar një shitje të mundshme – një kthesë e shpejtë për një markë që ka arritur të bëhet një emër i madh në industrinë e bukurisë.
Megjithëse ka shitur aksionet e saj në kompani, Hailey do të ruajë rolin e saj si drejtore kreative dhe përgjegjëse për inovacionin, duke mbikëqyrur krijimtarinë, zhvillimin e produkteve dhe strategjinë e marketingut.
Ajo do të shërbejë gjithashtu si këshilltare strategjike për “Rhode” dhe “e.l.f. Beauty”.
Pas shpërndarjes së lajmit, Hailey publikoi një deklaratë emocionale në Instagram, ku u shpreh entuziaste për partneritetin e ri dhe falënderoi ekipin që kontribuoi në ndërtimin e markës “Rhode” në atë që është sot.
Kujtojmë se më herët, burime pranë çiftit kanë treguar se Justin Bieber shiti katalogun e tij muzikor për vetëm 200 milionë dollarë, pasi ata kishin vështirësi financiare – siç u raportua në dokumentarin “TMZ Investigates: What Happened to Justin Bieber”.
Tani duket se çifti Bieber ka më shumë se mjaftueshëm para – dhe mund të ndjekin çfarëdo “Rhode” që dëshirojnë në jetë.