Bota

Hakerat shkaktojnë kaos, futen në “minierën” e kriptovalutave!

Shkëmbimi i kriptovalutave Bybit është bërë objekt i një sulmi kibernetik, që është konfirmuar nga shefi ekzekutiv Ben Zhou në një postim të bërë në platformën X. Sipas Coindesk, hakerat kanë arritur të vjedhin ethereum (ETH) me një vlerë rreth 1.4 miliardë dollarë nga rezervat e Bybit. Ky incident ka pasur ndikim negativ në tregun e kriptomonedhave, me çmimin e Bitcoin që ka pësuar një rënie në rreth 97 mijë dollarë, ndërsa Ethereum ka humbur gati 4% të vlerës, duke rënë nën 2.700 dollarë.

Në reagimin e tij, Ben Zhou ka theksuar se Bybit ka rezervat e nevojshme për të mbrojtur asetet e klientëve të tij dhe se, nëse kriptovalutat e vjedhura nuk do të kthehen, siguria e pasurive të përdoruesve nuk është e rrezikuar. Ky sulm ka goditur rëndë platformën, e cila deri tani renditej si e dyta në botë për vëllimin e tregtimit të kriptomonedhave.

Ndërkaq, Bitcoin ka arritur një shifër rekord, duke vazhduar ritmin rritës që ka parë çmimin e kriptomonedhës të rritet me më shumë se 50% që nga fitorja e Donald Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit. Kriptomonedha më e madhe në botë kaloi për pak kohë 106.000 dollarë, përpara se të binte në rreth 105.000 dollarë të hënën. Rritja e shpejtë e Bitcoin ka tërhequr vëmendjen e markave prestigjioze për të marrë në konsideratë pagesat me kriptomonedha. Një sërë markash luksoze të orave apo veshjeve po eksperimentojnë duke shtuar si opsion edhe pagesat me monedha virtuale.

Shumë dyqane franceze po bashkëpunojnë me platforma të mëdha si Binance dhe kompani teknologjike për të pranuar pagesa në kriptomonedha si Bitcoin apo Etherium, që kanë parë edhe një zgjerim të fortë veçanërisht pas fitores së Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara. Prodhuesi i çakmakëve dhe stilolapsave luksozë ST Dupont tha se po synon të pranojë pagesa në kriptovaluta në Paris para festave të fundvitit.