Bota

Hamas bie dakord të dorëzojë armët, por vendos kushte!

Organizata palestineze Hamasi ka rënë dakord të dorëzojë armët, por vendos kushte të qarta për mënyrën se si do të zhvillohet ky proces.

Lajmi është bërë i ditur të dielën nga një burim i Hamasit për rrjetin Al Arabiya.Sipas burimit, Hamasi ka pranuar që armët të dorëzohen nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, përmes një mekanizmi palestinezo-egjiptian.

Po i njëjti burim tha se Shtetet e Bashkuara janë në dijeni të kësaj marrëveshjeje.Dorëzimi i armëve është një nga pikat më të ndjeshme në çdo përpjekje për një marrëveshje paqeje, pasi nga kjo do të varet shumë edhe e ardhmja politike dhe sigurie në Rripin e Gazës.

Ndërkohë, burimi konfirmoi për Al Arabiya se Hamasi ka marrë garanci nga SHBA, përmes Katarit, për një tërheqje të përhershme të Izraelit nga Gaza, një tjetër kërkesë kyçe e Hamasit në bisedimet e ndërmjetësuara.

Rreth pengjeve: Rreth 30 prej tyre dyshohet se kanë humbur jetën

Sa i përket çështjes së pengjeve izraelite, burimi tha se nga rreth 50 pengje që mbeten ende në duart e Hamasit, rreth 30 mendohet se nuk janë më gjallë.

Po ashtu, sipas të njëjtës burim, Hamasi ka nisur mbledhjen e trupave të të vrarëve izraelitë dhe ka kërkuar ndërprerjen e bombardimeve nga Izraeli përmes ndërmjetësimit të Egjiptit, në mënyrë që të përfundojë procesi i mbledhjes dhe dorëzimit të trupave.