Mijëra dokumente, dosje dhe fotografi të lidhura me çështjen e Jeffrey Epstein, pedofilit të dënuar amerikan, janë bërë publike të premten mbrëma, duke rikthyer në qendër të vëmendjes një nga skandalet më të errëta të viteve të fundit.
Materialet u publikuan nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, pas miratimit të një ligji të mbështetur nga të dyja palët politike, demokratë dhe republikanë.
Edhe pse autoritetet ishin të detyruara ligjërisht t’i publikonin të gjitha dokumentet, vetëm pjesa më e madhe e tyre është bërë publike deri më tani.
Mes mijëra fotove dhe dokumenteve, disa prej tyre duket se nuk përmbajnë informacione thelbësore, si pamje nga ambientet e brendshme të rezidencave. Megjithatë, vëmendjen më të madhe e kanë tërhequr fotografitë ku Epstein shfaqet në shoqërinë e figurave të njohura botërore, përfshirë Michael Jackson, ish-presidentin amerikan Bill Clinton dhe yllin e rock-ut Mick Jagger.
Në disa prej fotove, Clinton dhe Jagger shihen pranë një gruaje, fytyra e së cilës është fshehur, pasi dyshohet se bëhet fjalë për një viktimë. Një tjetër imazh e tregon Clintonin së bashku me bashkëpunëtoren e Epsteinit, Ghislaine Maxwell, dhe një grua ende të paidentifikuar, brenda një pishine të mbyllur.
Po ashtu, Clinton shfaqet edhe në foto të tjera me Michael Jackson, Diana Ross dhe disa persona të panjohur për publikun.
Sipas CNN, një pjesë e këtyre materialeve ishte publikuar edhe më herët, por në mesin e tyre ka dokumente dhe foto që besohet se shfaqen për herë të parë.
Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë ende detaje se ku dhe kur janë realizuar këto pamje, as nëse do të ndërmerren veprime të mëtejshme pas publikimit të tyre.