Harry Styles nuk pritet të jetë pjesë e dasmës së shumëpërfolur të ish-partneres së tij, Taylor Swift, me yllin e NFL-së, Travis Kelce, pavarësisht se thuhet se ka marrë një ftesë për ceremoninë luksoze.
Sipas Daily Mail, duke cituar Variety, këngëtari britanik ka refuzuar pjesëmarrjen për shkak të angazhimeve me turneun e tij muzikor, duke e bërë të pamundur praninë në festimet që pritet të zhvillohen në Madison Square Garden në New York.
Megjithatë, në një kthesë interesante, e fejuara e tij, aktorja Zoe Kravitz, raportohet se do të marrë pjesë në ceremoni. Ajo është mike e afërt e Taylor Swift dhe ka bashkëpunuar me këngëtaren në projektin “Lavender Haze”, duke ruajtur një raport të ngushtë me superyllin e popit.
Fakti që Harry Styles thuhet se ishte në listën e të ftuarve është interpretuar nga shumë si një shenjë se marrëdhënia mes dy ish-partnerëve është lënë pas pa konflikte, më shumë se një dekadë pas ndarjes së tyre.
Romanca e shkurtër e Taylor Swift dhe Harry Styles në vitin 2012 vazhdon të jetë një nga historitë më të famshme të showbiz-it, ndërsa fansat prej vitesh besojnë se disa nga hitet më të njohura të Swift janë frymëzuar nga lidhja e tyre.
Në ceremoninë e shumëpritur pritet të marrin pjesë një sërë emrash të mëdhenj të muzikës, kinemasë dhe industrisë së argëtimit, mes tyre Selena Gomez, Gigi Hadid, motrat Haim, Steven Spielberg, Jack Antonoff, Max Martin dhe Aaron Dessner.
Raportimet thonë gjithashtu se organizatorët kanë vendosur masa të rrepta sigurie dhe privatësie. Çdo i ftuar duhet të nënshkruajë një marrëveshje konfidencialiteti përpara se të marrë detajet e plota të ceremonisë, ndërsa çdo ftesë është e personalizuar me një kod identifikues për të parandaluar rrjedhjen e informacioneve në publik.