CEO i Instagramit, Adam Mosseri, ka zbuluar se një nga praktikat më të zakonshme të përdoruesve për të rritur shikimet dhe ndërveprimet përdorimi i hashtagëve nuk ka efektin që mendohet. Adam Mosseri, 42 vjeç, i cili ka udhëhequr aplikacionin e mediave sociale në pronësi të Meta që nga viti 2018, ndau “disa sekrete për të optimizuar praninë e përdoruesve në platformë”. Në një intervistë për DailyMail, Mosseri theksoi se hashtagët nuk luajnë një rol kyç në shpërndarjen e përmbajtjes apo në rritjen e ndërveprimit.
Ai shtoi se nuk ekziston një “truk magjik” apo “hack algoritmi” që garanton sukses në platformë. Deklarata e tij nënvizon rëndësinë e krijimit të përmbajtjes cilësore dhe ndërtimit të një audience të angazhuar në mënyrë natyrale, në vend të mbështetjes tek strategjitë e vjetruara. Gridat e profileve në Instagram do të shfaqin përmbajtje si drejtkëndësha në vend të katrorëve, si pjesë e një ndryshimi që do të zbatohet gjatë fundjavës njoftoi drejtori ekzekutiv i Instagram-it, Adam Mosseri, në një Story në Instagram.
“E di që disa prej jush i pëlqejnë shumë katrorët. Fotot katrore janë një pjesë e trashëgimisë së Instagram-it. Por në këtë pikë, shumica e asaj që ngarkohet, si fotot ashtu edhe videot, kanë një orientim vertikal. Është zhgënjyese t’i shkurtojmë ato më shumë sesa duhet”. Mosseri e pranon që ky ndryshim mund të jetë paksa i bezdisshëm. “Mendoj se me kalimin e kohës, njerëzit do të jenë të entuziazmuar që më shumë nga fotot dhe videot e tyre do të shfaqen ashtu siç janë menduar, në profil, në vend që të priten në mënyrë të tepruar”.
Instagram njoftoi gjithashtu se po shton një seksion të ri në feed-in e Reels, ku mund të shihni videot që miqtë tuaj kanë pëlqyer. Instagram njoftoi një përditësim të veçorisë së tij të videove Reels së bashku me lajmin se Gjykata Supreme la në fuqi ligjin që do të ndalojë TikTok në SHBA nga 19 janari. Përditësimi do ta bëjë më të lehtë për përdoruesit të zbulojnë përmbajtjen që miqtë dhe ndjekësit po pëlqejnë në platformë dhe do të inkurajojnë përdoruesit të fillojnë biseda rreth përmbajtjes së Reels. Bëhet e ditur se veçoria po fillon të zbatohet në SHBA. Kompania është e gatshme të kapë një numër përdoruesish të TikTok pas ndalimit të SHBA-së, veçanërisht krijuesit që mbështeten në rrjete sociale për të ardhura.