Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në zonën e Klosit, ku Klodian Kulla, 39 vjeç, nipi i Nehat Kullës, është gjetur i pajetë në afërsi të rrugës së Arbrit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:40, pranë urës së fshatit Fshat, ku dyshohet se 39-vjeçari është vetëhedhur. Terreni i vështirë ka bërë që kërkimi dhe nxjerrja e trupit të marrë disa orë.
Në vendngjarje shkuan menjëherë shërbimet e Policisë së Burrelit, forcat “Shqiponja” dhe ekipet e Zjarrfikësve, të cilët arritën të nxjerrin trupin nga gremina.
Më datë 08.12.2025, rreth orës 23:40, tek ura e fshatit Fshat, bashkia Klos, shtetasi K.K., rreth 39 vjeç, dyshohet se është vetëhedhur nga ura dhe për pasojë, ka humbur jetën. Si pasojë e terrenit të vështirë, pas disa orësh kërkimi nga shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikësve, u bë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupit nga gremina, njoftoi policia.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Nehat Kulla, njihej me nofkën “gjenerali” dhe se në vitin 1997 drejtonte një prej bandave më famëkeqe të Tiranës. Ai ndërroi jetë më 2020-ën ndërsa ishte dënuar me 20 vite burg për vrasjen e Halim Gjuzit në vitin 1998 në Golem, shoferi i ish-ministrit të Brendshëm, Halit Shamata.