Film & Tv Gossip Showbiz

Hollywood në garë për filmin e “rënies së Andrew Mountbatten-Windsor”? Netflix mendon rikthimin e “The Crown”?

Hollywood duket se ka “nuhatur” dramën e radhës mbretërore. Sipas raportimeve, studio të mëdha si Netflix, Amazon MGM Studios dhe The Walt Disney Company po garojnë për të sjellë në ekran historinë e rrëzimit spektakolar të Princit Andrew, i njohur gjithashtu si Andrew Mountbatten-Windsor.

Burime nga industria kanë bërë të ditur se skenaristë të shumtë po paraqesin projekte për një film apo serial të bazuar në ngjarjet e fundit që përfshijnë ish-princin.

Andrew nuk është akuzuar për ndonjë krim, por raportohet se është nën hetim për dyshime mbi sjellje të papërshtatshme në detyrë publike. Pamjet e ndalimit dhe lirimit të tij, të shpërndara gjerësisht nga mediat ndërkombëtare, kanë shtuar interesin e producentëve.

Ndërkohë, The Crown, seriali i famshëm mbi familjen mbretërore britanike, mund të rikthehet me një special të veçantë. Diskutime të avancuara thuhet se po zhvillohen me kompaninë Left Bank Pictures për një seri episode-sh të pavarura që do të trajtonin skandale dhe drama mbretërore, ku saga e Andrew konsiderohet “më dramatike se çdo gjë e transmetuar më parë”.

Kjo nuk do të ishte hera e parë që intervista famëkeqe e Andrew me Emily Maitlis bëhet subjekt dramatizimi. Në vitin 2024, Jeremy Brock shkroi miniserialin “A Very Royal Scandal” për Amazon MGM Studios, ku rolin e Maitlis e interpretoi Ruth Wilson dhe Andrew u luajt nga Michael Sheen.


Intervista e vitit 2019, ku ai deklaroi se “nuk e mbante mend” takimin me Virginia Giuffre dhe bëri komente të diskutueshme për lidhjen me Jeffrey Epstein, u konsiderua si pikë kthese në largimin e tij nga detyrat mbretërore.

Sipas Brock, drama aktuale ka “të gjitha elementet e një tragjedie greke”, me Andrew si antagonist. Ai madje ka sugjeruar titullin “Silence”, duke iu referuar kulturës së heshtjes që, sipas tij, ka karakterizuar reagimet zyrtare ndër vite.

Ndërsa publiku mbetet i ndarë mes kureshtjes dhe lodhjes nga skandalet mbretërore, një gjë është e qartë: industria e argëtimit e sheh këtë histori si material të pastër kinematografik. Dhe gara për ta sjellë e para në ekran duket se sapo ka nisur.