Aktualitet

Homazhet për Janullatos/ Baba Mondi: Largohet nga kjo botë me një vepër që i ka lënë Kishës Ortodokse

Po zhvillohen homazhet për kryepeshkopin Anastas Janullatos në Katedralen “Ringjallja e Krishtit” në Tiranë, teksa po marrin pjesë për t’i dhënë lamtumirën dhe lutur përveç mijëra qytetarëve, edhe personalitete nga fusha të ndryshme të jetës, përfshi edhe ato të komuniteteve fetare.

I pranishëm sot (29 Janar) për t’i bërë homazhe kreut të ndjerë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare ishte edhe kreu i Komunitetit Bektashi, Baba Mondi.

Ai vlerësoi figurën e Janullatosit, me të cilin tha se “ka bashkëpunuar edhe personalisht me të”, duke uruar që “Zoti ta ketë në parajsat e veta” për veprën që la pas për kishën, duke shtuar se “e ngriti nga varri Kishën Ortodokse Shqiptare”

Fjala e Baba Mondit pas homazheve:

“Fortlumturia është personalitet i Kishës Ortodokse Shqiptare, i cili ka punuar me vetëmohim për ta ngritur këtë kishë nga varri. Ka qenë njeri që ka bashkëpunuar me të gjitha komunitetet fetare dhe sidomos me mua personalisht dhe më vjen keq për çdo njeri që largohet nga kjo botë, por ai po largohet me një vepër që i ka lënë pas Kishës Ortodokse Shqiptare, por edhe shqiptarëve. Ngushëllime Kishës Ortodokse, Zoti e pstë në parajsat e veta. Qofshi dritë dhe Zoti na bekoftë të gjithëve, amin!”.

Arkëmoti me trupin e pajetë të Kryepeshkopit Anastas mbërriti një ditë më parë në vendin tonë, përmes pikës kufitare të Kakavijës ku ishte organizuar një ceremoni nderimi nga autoritetet greke. Kisha ortodokse është sot në ditën e pestë të zisë kishtare.

Në ceremoninë mortore të 30 janarit, priten në kryeqytetin shqiptar të vijnë figurat më të larta të klerit në botë, dhe jo vetëm ato të Kishës Ortodokse. Nga Vatikani pritet një delegacion i gjerë i drejtuar nga Sekretari i Shtetit, Pietro Parolin. Konfirmohet pjesëmarrja e Kryeministrit grek, Mitsotakis me një delegacion të gjerë nga Athina, përfshirë 5 ministra të kabinetit të tij qeveritar.

Gjithashtu në ceremoni priten Kryepeshkopi dhe klerikë nga Polonia, Drejtues të “Saint Egidio” në Itali; delegacion nga Këshilli Botëror i Kishave (institucion që përfshin të gjitha kishat, katolike, protestante apo ortodokse), përfaqësues nga unioni ‘Fetë për Paqen’, një delegacion nga kishat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës etj.