Sport

Horner dhe lamtumira nga Red Bulli: Ishte një tronditje!

Pas më shumë se 20 vitesh, Red Bulli dhe Kristian Horner kanë ndarë rrugët, me ekipin austriak të Formulës 1 që vendosi të shkarkojë drejtorin. Një ditë pas vendimit dhe komunikatës së Red Bullit ka ardhur edhe reagimi i parë nga Horner, i cili shprehet se për të ishte një tronditje. “Të martën Red Bull më informoi se, nga ana operative, nuk do të jem më i përfshirë me kompaninë ose ekipin në të ardhmen. Ishte një tronditje për mua.

Kam pasur mundësinë të reflektoj gjatë 12 orëve të fundit dhe doja të vija para jush të gjithëve për të ndarë këtë lajm dhe për të shprehur mirënjohjen time për secilin anëtar të ekipit, të cilët kanë dhënë kaq shumë gjatë 20 viteve e gjysmë të fundit”, është shprehur Horner në lamtumirën e tij për skuadrën. Britaniku 51-vjeçar donte gjithashtu të kujtonte fillimin e tij te Red Bulli, në vitin 2005: “Kur mbërrita 20 vjet më parë, kisha më pak flokë të thinjur.

LEXO EDHE: Makina në flakë dhe Verstappen që përplaset në xhiron e parë, Norris fiton Çmimin e Madh të Austrisë në Formula 1!

U bashkova me një ekip duke mos ditur se çfarë të prisja, por ata më mirëpritën menjëherë dhe filluam të ndërtonim atë që është bërë një fuqi e Formulës 1. Të shikoja dhe të isha pjesë e këtij ekipi ka qenë privilegji më i madh i jetës sime”, shprehet Horner. Pas kësaj, britaniku vazhdoi të rishikonte kohën e tij në Milton Keynes, ndërsa i ofroi mbështetjen e tij drejtorit të ri, Laurent Mekies, i cili do ta zëvendësojë atë të Red Bulli:

“Unë i besoj Laurent Mekies dhe i jap mbështetjen time të plotë. Ia kam besuar atij të kujdeset për të gjithë ju. Kam luftuar shumë, kam bërë më të mirën time me shumë përpjekje dhe tani ka ardhur fundi”. Kështu një epokë e re fillon në fabrikën e Red Bullit me Laurent Mekies në krye. Një moment vendimtar për ekipin austriak, pasi ata do të ndalojnë së përdoruri motorët Honda në vitin 2026 dhe do të fillojnë të prodhojnë motorët e tyre. Horner e përfundoi lamtumirën e tij duke shtuar: “Ajo që na pret me njësitë e fuqisë së Red Bull është vërtet emocionuese, por jam thellësisht i trishtuar që nuk do të jem këtu për të parë zhvillimin e motorit”, deklaroi ish-shefi i skuadrës austriake.

Ish-drejtori i “Demave” mund të mos qëndrojë pushim për shumë kohë, pasi një ekip tjetër mund ta presë krahëhapur, skuadra Alpine. I plotfuqishmi Flavio Briatore, një mik i hershëm i Horner, mban pozicionin e Konsulentit Ekzekutiv dhe drejtorit tek Alpine. Aktualisht, Horner është ende zyrtarisht nën kontratë me Red Bullin, dhe britaniku duket se synon të shijojë pak kohë pushimi për veten dhe familjen e tij, por bota e Formulës 1 dhe ambicia personale së shpejti do të trokasin përsëri në derën e Hornerit. Megjithatë, kalimi nga Helmut Marko te Flavio Briatore nuk do të ishte një hap i madh përpara dhe opsioni Alpine duhet parë në perspektivë.