Thellohet kriza mes Budapestit e Kievit pas vendimit të Hungarisë për të mos ratifikuar huanë 90 miliardë euroshe që Bashkimi Europian miratoi politikisht dhjetorin e kaluar, si mbështetje për Ukrainën.
Ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó, deklaroi se vendi i tij do të bllokojë marrëveshjen derisa Ukraina të riparojë tubacionin Druzhba, nga i cili varet Hungaria për furnizimin me naftë. Ai akuzoi Kievin se po “shantazhon Hungarinë duke ndaluar tranzitin e naftës”, siç tha, “në koordinim me Brukselin dhe opozitën hungareze”.
Huaja e BE-së është jetike për Ukrainën, pasi vendi pritet të mbetet pa fonde në muajin prill, ndërsa përballet me sulme të vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës civile. Ratifikimi kërkon miratimin unanim të 27 vendeve anëtare të Bllokut.
Kryeministri hungarez, Viktor Orbán, i njohur për qëndrimet pro-Moskës dhe kundërshtimin ndaj anëtarësimit të Ukrainës në BE, e akuzoi Kievin zyrtar për “shantazh politik”, në lidhje me mungesën e riparimit të tubacionit.
Vendimi i Hungarisë vjen në një kohë kur Brukseli po përpiqet që të finalizojë paketën e 20-të të sanksioneve ndaj Rusisë, e që po ashtu po has pengesa nga Budapesti dhe nga disa vende të tjera.
Komisioni Europian ka bërë thirrje që të gjitha shtetet anëtare të BE-së, të respektojnë marrëveshjen e arritur në muajin dhjetor 2025, duke e cilësuar mbështetjen financiare si “vendimtare” për nevojat buxhetore e ushtarake të Ukrainës, në luftë me Rusinë prej 4 vitesh.