Një nxënës 11 vjeç në Kukës mbeti i lënduar dhe u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Mësohet se i mituri kaloi perimetrin e sigurisë e hyri në mjediset ku po punohej për rikonstruksionin e një objekti pranë shkollës së mesme duke mbetur i lënduar nga inertet që po hidheshin.
Raportohet se policia procedoi punonjësin e firmës për “Plagosje e lehtë nga pakujdesia”, si dhe drejtuesin teknik të firmës për “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për shtetasit:
-K.K., 26 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Plagosja e lehtë nga pakujdesia”, punonjës i firmës që po kryen punimet për rikonstruksionin e një objekti pranë shkollës së mesme në qytetin e Kukësit, pasi dje, gjatë kohës që ka hedhur inerte, është dëmtuar një nxënës 11-vjeç, i cili kishte kaluar perimetrin e sigurisë. Ai po merr mjekim në Spitalin e Traumës dhe nuk ka probleme për jetën.
-A.D., 62 vjeç, drejtuesi teknik i firmës që po kryen punimet për rikonstruksionin e objektit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, thuhet në njoftimin zyrtar policor në Kukës.