Aktualitet

I armatosur e bëri aksident duke plagosur 2 vetë/Ndjekja e autorit te Liqeni i Thatë!

Policia e Tiranës jep detaje në lidhje me ngjarjen në zonën e Liqenit të Thatë në kryeqytet, ku dy persona mbetën të plagosur.

Sipas të dhënave, forcat Shqiponja kanë tentuar të ndalojnë në mjet ku udhëtonte shtetasi Imer Krrashi, pasi kishin informacione se ai ishte i armatosur.

31 vjeçari nuk iu bind urdhrit e vijoi lëvizjen me shpejtësi duke përplasur disa automjete dhe një motomjet. Për pasojë u dëmtua drejtuesi dhe pasagjeri në motomjet, të cilët u dërguan në spital. Pas një ndjekjeje intensive u bë ndalimi i automjetit ku gjatë kontrollit iu gjet një armë zjarri, pistoletë.

Njoftimi zyrtar:

Rreth orës 12:30, tek Liqeni i Thatë, Forca e Posaçme “Shqiponja” i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit me drejtues shtetasin I.K., 31 vjeç, pasi kishin marrë informacion se 31-vjeçari qarkullonte me armë zjarri.

Pas ndalimit, në momentin që shërbimet e Policisë i kanë bërë të ditur se ndaj tij dhe automjetit do ushtrohej kontroll, 31-vjeçari ka vijuar lëvizjen me shpejtësi duke perplasur disa automjete dhe 1 motomjet. Si pasojë është dëmtuar drejtuesi dhe pasagjeri në motomjet, të cilët ndodhen në spital.

Pas një ndjekje intensive u bë ndalimi i automjetit. Gjatë kontrollit të automjetit i është gjetur një armë zjarri pistoletë. Infomacion më i detajuar do të jepet në përfundim të veprimeve proceduriale.