Shtyhet për më 2 korrik pretenca për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro lidhur me procedimin e dytë penal ndaj tij për shpërdorim detyre dhe tjetërsim të pronës shtetërore. Shkak është bërë kërkesa e prokurorit Elvin Gokaj, i cili tha se ka përgatitur konkluzionet përfundimtare në një material prej 75 faqesh, por njëherësh kërkon kohë për të analizuar pretendimet e mbrojtjes të paraqitura në seancën e fundit.
Na duhet kohë për të integruar në mënyrë të plotë qëndrimet e mbrojtjes në konkluzionet tona.
Goro akuzohet për shpërdorim detyre më shumë se një herë, kryer në bashkëpunim ndërsa i pandehur në këtë dosje është edhe Vasillaq Strakosha, ish-drejtor i Tokës e Menaxhimit të Pronës në Bashkinë Himarë. Jerasimo Bashi u nda më vete pasi ende nuk është ekzekuzuar masa e sigurisë.
Jorgo Goro u kallëzua nga Fredi Beleri, me pretendimin se në vitin 2016 i dhuroi pasuesit të tij të komanduar në krye të Bashkisë, Arqile Bollanos, 4 mijë e 263 metra sipërfaqe toke. Ndërkaq, u raportua në Gjykatë se Goro ndodhet në spitalin e burgut e nuk mori pjesë në seancë. Ish-funksionarët u hetuan nga SPAK për tjetërsimin e tokave në Himarë.