Aktualitet

SPAK-u kërkon 2 vite burg për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro!

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sot dha pretencën për ish-kryetarin e Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, si dhe ish-zyrtarin Vasillaq Strakosha, të akuzuar për shkelje të ligjit gjatë trajtimit të pronave bujqësore në këtë zonë.

SPAK kërkon një dënim me 2 vite burg për Jorgo Goron e që do të ulet në 1 vit e 4 muaj, ndërsa për Vasillaq Strakoshën u kërkua 1 vit e 6 muaj burg e që po ashtu do të reduktohen në 12 muaj heqje lirie.

Nga hetimet ka rezultuar se Jorgo Goro, në cilësinë e ish-kryetarit të Bashkisë Himarë, ka kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, duke mos përmbushur rregullisht detyrat e tij, në shkelje të nenit 17 të ligjit nr. 9948/2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, si dhe të pikave 1, 2 dhe 3 të VKM-së nr. 253, datë 6.3.2013.

Sipas prokurorisë, këto veprime kanë sjellë pasoja të drejtpërdrejta për disa banorë të Bashkisë Himarë, të cilët janë dëmtuar në procesin e njohjes së pronësisë mbi tokën bujqësore. Ky është procesi i dytë gjyqësor ndaj Goros. Në një çështje të mëparshme ai u dënua me 2 vjet e 20 ditë burg nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, GJKKO për “Shpërdorim detyre” dhe “Fshehje të pasurisë”.