Botë e Çuditshme Food & Drink Lifestyle

I mbijetoi luftërave dhe epidemive por jo koronavirusit, mbyllet pub-i më i vjetër në botë!

Një pub i cili konsiderohet si më i vjetri në Angli mbylli dyert për klientët dhe adhuruesit e birrës pasi pronari i tij shpalli falimentin. Pub-i i mbijetoi disa luftërave dhe epidemive, por duket se koronavirusi dhe pasojat e tij e detyruan Christo Tofalli që të ulë qepenat e “Ye Olde Fighting Cocks”.

Ai tregon se u përpoq me miq e me shpirt të mbante hapur këtë pub, i cili mendohet se daton që në vitin e largët 793. Megjithatë, Tofalli shprehet se pub-i mund të hapet sërish me një pronar dhe menaxhim të ri, por që ai nuk do të jetë pjesë.

Ai tha se pronari i lokalit “Mitchells and Butlers” tani po fliste me administratorët e kompanisë së tij.

Ne të gjithë po kërkojmë rrugën më të mirë përpara për pub-in, por ai do të rihapet me pronarë të rinj dhe shpresoj që ata të mbajnë.

Tofalli u shpreh ndër të tjera se:

Së bashku me ekipin tim, kam provuar gjithçka për ta mbajtur pub-in në këmbë. Sidoqoftë, dy vitet e fundit kanë qenë të paprecedentë për industrinë e mikpritjes dhe na kanë mundur të gjithë ne që jemi përpjekur maksimalisht për të siguruar që ky pub të vazhdojë të funskionojë. Është e qartë se jam zemërthyer sepse ky pub ka qenë shumë më tepër sesa thjesht një biznes për mua dhe ndihem i nderuar që kam luajtur qoftë edhe një rol të vogël në historinë e tij.

Tofalli i tha ‘BBC’-së se brenda disa orësh nga shpallja e mbylljes, atij i kanë ardhur shumë mesazhe mbështetjeje nga brenda qytetit dhe nga e gjithë bota.

Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë. Me të gjitha mesazhet që kam pasur, flet vetë ajo që kemi arritur. Të lexosh për ndikimin që kemi pasur te njerëzit është befasuese dhe jashtëzakonisht përulëse. Ne u bëmë një pjesë e rëndësishme e komunitetit, familja që krijuam ishte e madhe. Ka ardhur koha për mua, por ne do të sigurohemi që dorëzimi të jetë pa probleme dhe energjia të vazhdojë.