Agjencia e Mbikëqyrjes Policore Vlorë arrestoi tre efektivë të policisë në Orikum, pasi akuzohen për shpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti. Nga hetimet e SPAK-ut në shtator të 2025-ës, rezultoi se në kundërshtim me ligjin dhe duke keqpërdorur detyrën, kanë kërkuar e marrë shumën prej 270 mijë lekësh nga një shtetas, në këmbim të shmangies nga përgjegjësia penale.
Pas një hetimi disa mujor është bërë i mundur dokumentimi me prova ligjore i përfshirjes së tyre në veprime korruptive dhe shpërdorim të detyrës.
AMP Vlorë ka ekzekutuar vendimin e GJKKO, që ka caktuar masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për tre punonjësit e Policisë Orikum.
Masat janë vendosur ndaj:
D. L., Inspektor krimesh pranë Stacionit të Policisë Orikum;
A. J., Shef i Stacionit të Policisë Orikum;
A. F., Specialist i Policimit në Zonë pranë Stacionit të Policisë Orikum.
Efektivët akuzohen për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Shpërdorim detyre”.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për verifikimin e mundshëm të personave të tjerë të përfshirë.