Aktualitet

Igli Hasani takim kokë me kokë me homologun grek!

Ministri i jashtëm Igli Hasani po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Athinë, ku po takohet me homologun e tij grek, Jorgos Jerapetritis.

Pas një përqafimi të ngrohtë dhe shumë miqësorë, dy ministrat zhvilluan një takim kokë më kokë që zgjati më shumë se një orë.

Gjate deklaratave të dy ministrat vlerësuan rolin e Greqisë në integrimin europian të Shqipërisë. Ata theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si dhe shkallën e lartë të integrimit të emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe urën lidhëse mes dy vendeve, ku rol të veçantë ka minoriteti etnik grek që jeton në Shqipëri.

Në vazhdim ministrat dhe stafet e dy ministrive zhvilluan një drekë të zgjeruar pune, ku do të diskutojnë temat e hapura në marrëdhëniet dypalëshe.

Ndërkohë ditën e djeshme gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Republikën e Qipros, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të shtetit qipriot.

Në takimin me Presidentin e Republikës së Qipros, Nikos Christodoulides, Ministri Hasani theksoi se të dy vendet vlerësojnë marrëdhëniet miqësore dhe të konsoliduara mes tyre.

“Është koha për t’i dhënë një shtysë të re dialogut politik ndërmjet Shqipërisë dhe Qipros, dhe për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik në fusha si turizmi, energjia, teknologjia e informacionit dhe komunikimit, arsimi, farmaceutika dhe ndërtimi,” – deklaroi ai.

Ministri Hasani u prit gjithashtu nga homologu i tij, Ministri i Jashtëm i Qipros, z. Costantinos Kombos. Ata patën një diskutim të thelluar mbi zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të ndërsjellë. Ministri Hasani vlerësoi mbështetjen e Qipros për integrimin evropian të Shqipërisë.