Pas fjalës së sotme të kryeministrit Edi Rama, i cili paralajmëroi se do të konfiskohej një pallat në Vlorë, forcat e IKMT-së kanë zbritur në qytetin bregdetar jugor. Në terren gjendet edhe kryeinspektorja Dallëndyshe Bici, ndërsa aksioni nisi me verifikimin e ndërtimeve që po kryhen në Vlorë.
Inspektorët e IKMT-së u ndalën në një pallat disa katësh që është në ndërtim. Mësohet se verifikimet do të vazhdojnë në disa objekte. Për momentin, ende nuk dihet se cila nga godinat do të vendoset në sekuestro pasi procesi po vijon.
Më herët, në takimin me deputetë të Tiranës e drejtorë të bashkisë, si dhe drejtues politikë socialistë të qarqeve, shefi i qeverisë njoftoi se do të bëhet konfiskimi i një pallati në Vlorë që siç u shpreh, “është në shkelje të ligjit”.
Sot do të bëhet një konfiskim i një pallati në Vlorë që është në shkelje. Ky proces synon që të bashkojë dy gjëra, kemi marrë përsipër të mbyllim legalizimet brenda 2028-ës, por ta harrojë kushdoqoftë që do legalizojë në shkelje të ligjit. Të gjitha ngrehinat e ngritura për qëllime fitimi do të rrafshohen. Nuk do të ketë asnjë tolerancë dhe asnjë ndalim në këtë proces.
Rama foli edhe për aksionin e IKMT-së në Theth:
Aty nuk bëhet fjalë për të lejuar ndërtime e për të bërë resorte turistike. Eshtë jashtë çdo lloj opsioni. Të gjitha teoritë lidhur me këtë operacion janë për të ardhur keq, janë të bazuara në dezinformim. Thethi dhe banorët e tij nuk janë ata që janë shfaqur nëpër ekrane, ata janë një grusht njerëzish që nuk kanë lidhje me të vërtetën e kësaj historie. Ne do vazhdojmë t’i mbështesim të gjithë ata njerëz që kanë prona nëpër male. Madje kemi bërë edhe Paketën e Maleve.
Ne nuk kemi prerë në besë askënd. Kemi shkuar në Theth me kryetarin e bashkisë, me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe me Agjencinë e Kadastrës e që kur kemi shkuar dhe premtuar të gjitha shtëpive të vjetra në Theth, që ishte problemi kryesor i atyre banorëve, e kemi përmbyllur atë proces me rreth 300 legalizime që ata disponojnë. Pra, premtimi ynë ka qenë që do të legalizojmë pronën e gjyshërve.